Bledar Muça i ekzekutuar një ditë më parë në Belgjikë është një emër i njohur për policinë. Ai ka qenë i akuzuar për përfshirjen në shumë ngjarje kriminale, ndërsa i ka shpëtuar dy herë atentatit me mikun e tij Florenc Capja.
Bledar Muça me origjinë nga Peshkopia, është i lindur dhe i rritur në Elbasan. Ai është vëllai i Ferit Muçës, 42-vjeçarit që u plagos rëndë në të njëjtin atentat. Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje emri i tij u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen dy vite më vonë, të vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.
Atentati i shkurtit 2016: Bledar Muça e Florenc Çapja, i shpëtuan atentatit. Në masakrën e 3 shkurtit mbetën të vrarë tre persona: Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli. Dy miqtë morën plagë të lehta nga breshëritë e kallashnikovit, që u qëlluan nga të paktën tre persona, në një lokal në dalje të qyteti të Elbasanit, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën.
Atentatit i qershorit 2016: Bledar Muça e Florenc Çapja ishin shënjestër e një atentati me armë në Elbasan. Në mes të ditës, në qendër të qytetit, mbi makinën me të cilën ata udhëtonin u zbrazën plumba kallashnikovi. Autori Shkëlzen Hasanpapaj, i veshur me uniformë ushtrie dhe që në dorë mbante një çantë kamoflazhi brenda së cilës kishte futur një automatik, ai që qëlloi dhjetëra plumba mbi automjetin tip “Golf 5”, në të cilin udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja. Ata shpëtuan falë xhamit të blinduar të makinës.
Vrasja e “Dodës”.
Ishte mëngjesi i 22 korrikut të vitit 2009, kur Elbasani do të tronditej nga një ekzekutim në afërsi të Universitetit. Ekzekutimi bëhet nga dy persona me motor të cilët qëllojnë me breshëri kallashnikovi mbi mjetin me të cilin udhëtonte Roland Rexhepi, ish-efektiv policie, që kishte punuar edhe në seksionin e anti-drogës. Ekzekutimi i tij u bë në mes të dhjetëra kalimtarëve, ndërsa polici-viktimë u tha se për shumë kohë ishte identifikuar si krahu i djathtë i ish-drejtuesit të “hekurt” të policisë Edmond Koseni. Atentatorët u zhdukën në mes të turmës duke e lënë të vdekur në makinë Roland Rexhepin, ndërsa policia arriti të shoqëronte me dhjetëra e dhjetëra persona. Më në fund, katër ditë pas atentatit, policia aso kohe njoftoi se ka arrestuar si të dyshuar për këtë krim Armando Llakajn, 31 vjeç, me precedentë të mëparshëm penal dhe Marjus Tafa. Mësohet se Llakaj ishte njeri i afërt i fisit Çapja, ndërsa viktima, më vonë do të konsiderohej edhe si kushëriri i Fadil Memës të ekzekutuar në Torino.
Vrasja e Ilir Rexhepit, dy vite pas Rolandit
Ishte fundi i vitit 2011, kur në orët e mbrëmjes do të ekzekutohej me dy plumba biznesmeni Ilir Rexhepi. Viktima kishte një polici private dhe sipas policisë dhe prokurorisë së asaj kohe, 41-vjeçari, baba i dy fëmijëve nuk kishte asnjë precedent penal. Ekzekutimi ndodhi pikërisht në kohën kur prokuroria kërkoi 48 vjet burg për dy të dyshuarit për vrasjen e vëllait të tij në korrikun e 2009-ës. Policia kreu sërish një mori shoqërimesh dhe si përfundim për krimin u konsiderua fajtor pikërisht Bledar Muça, i cili kishte mundur të kalonte kufirin pa u prekur nga askush. Policia e shpalli në kërkim Muçën ndërsa vuri në pranga vetëm një punonjës të policisë kufitare. Bled Muça iku dhe nga Greqia dhe më pas në Belgjikë, nga ku hodhi poshtë pretendimet e policisë.