
U fut në kurth nga dy vajza, asnjë shenjë jete mbi 24-vjeçarin; gjendet vetëm makina me të cilën u rrëmbye
Nuk dihet ende fati i 24-vjeçarit që u rrëmbye më 16 prill në lagjen Tasligje në Prishtinë.
I riu u fut në grackë nga dy vajza që e kontaktuan në rrjetet sociale, të cilat e “dorëzuan” tek rrëmbyesit e tij.
Pas arrestimit të dy vajzave, konkretisht të moshës, 19 dhe 22 vjeçe, si edhe vetëdorëzimit të një prej autorëve, 22-vjeçarit Lion Gashi, mësohet se në ngjarje janë implikuar edhe persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia e Kosovës.
Gazeta Sinjali raporton se të dyshuar në ngjarje janë babai i Albin Hoxhës, 50-vjeçari Rafet Hoxha, (e ka ndryshuar emrin në Alver Baleri), Meriton Krasniqi, 27-vjeç dhe Agon Krasniqi, 21-vjeç.
Policia ka gjetur edhe automjetin tip Golf 7 me të cilën dy autorët e dyshuar Lion Gashi dhe Albin Hoxha, rrëmbyen të riun. Makina është lokalizuar në qytetin e Podujevës dhe është konfiskuar nga policia me qëllim ekzaminimin e saj.
Dy vajzat e dyshuara, të cilat kanë vënë në grackë të riun, duke e dorëzuar te rrëmbyesit, sipas burimeve për Gazetën Sinjali do të hetohen në procedurë të rregullt nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Ndërsa Lion Gashi pasi u mbajt për 48 orë është liruar po ashtu dhe ndaj tij do të kryhen hetimet në procedurë të rregullt.