Ditën e sotme, në Selanik është dhënë masa e sigurisë për dy shqiptarët dhe kroatin e arrestuar pak ditë më parë, si finalizim i një operacioni ku u sekuestruan 324 kg kokainë e pastër, me vlerë 100 milionë euro.
Mësohet se për shqiptarët P. S 35-vjec, K. P, 37-vjec, si dhe shtetasin kroat është dhënë masa e sigurisë “Arrest ne burg”. Ata dyshohen si pjesëtarë të grupit kriminal që trafikon kokainë nga Amerika Latine në Greqi, ku para pak ditësh në Selanik u kapën 324 kg kokainë.
Mediat greke kanë publikuar pamjet e momentit kur futen në gjykatë. Ndërkohë që në kërkim është një 33 vjeçar nga Kroacia, i cili arriti të shpëtojë duke u hedhur nga ballkoni i banesës.
Dy shqiptarët në gjykatë janë shprehur se nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe se ndodheshin në Selanik për të blerë disa materiale për hotelin e tyre në ishullin Rodhos. Ndërkohë kroati pranoi një pjesë të akuzave.
Mësohet se DEA Amerikane kishte marrë informacion për drogën, që kishte mbërritur me kontejner nga Amerika Latine. Më pas ajo ishte dërguar në banesën në Selanik.
Në komunikatën e policisë thuhet se janë sekuestruar:
324 kilogram kokainë e pastër, e ndarë në 260 pako,
5,265 euro dhe valutë të huaj në lidhje me trafikimin e drogës,
5 celularët që ata përdorën për komunikimet e tyre dhe një kompjuter laptop.