Aktualitet31 Korrik 2018, 09:00

U nda nga jeta pas sëmundjes së rëndë, cilat ishin marrëdhëniet e Luan Hajdaragës me Nanon, Metën e Ramën

Shkruar nga Pamfleti
U nda nga jeta pas sëmundjes së rëndë, cilat ishin

U nda nga jeta pas sëmundjes së rëndë, cilat ishin marrëdhëniet e Luan Hajdaragës me Nanon, Metën e Ramën

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga u nda ditën e hënë nga jeta në moshën 69-vjeçare, pas një ishemie cerebrale në tru katër muaj më parë.

Ai mbajti për disa vite dhe postin e nënkryetarit të PS-së gjatë kohës që kryetari i saj, Fatos Nano, ishte në burg dhe disa mandate si anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste. Hajdaraga, para vitit 1990 ka mbajtur postin e drejtorit të Institutit të Pedagogjisë dhe në ekran u njoh në një emision të viteve ‘80 të titulluar “Mësues, Prindër, Nxënës”.

Ajo që e ka dalluar profesor Hajdaragën në politikën shqiptare ishte qetësia në artikulim, pa i munguar argumenti dhe vetëpërmbajtja politike gjatë një periudhe që lufta politike ishte shumë e ashpër. Madje, në kohën kur Nano ishte në burg, mjaft socialistë e akuzonin si të “butë me Berishën”, madje edhe të lidhur me të vetëm se nuk shante kundërshtarët. Kur socialistët erdhën në pushtet pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997, Luan Hajdaraga u zgjodh deputet, por nuk mori pjesë në qeverinë e parë të Fatos Nanos.

Ai drejtoi Komisionin e Sigurisë Kombëtare, në kulmin e konfliktit PS-PD, por në auditorin e ri nuk pati asnjëherë të tillë. Hajdaraga, ndryshe nga deputetët e tjerë socialistë, është fiksuar në sallën e Parlamentit shumë aktiv në dy momente kritike. Kur u plagos Azem Hajdari nga Gafurr Mazreku, Luan Hajdaraga ishte ndër të parët që e mori trupin e deputetit të PD-së për ta dërguar në spital.

Po ashtu, kur Pjetër Arbnori pëson një goditje gjatë grevës së urisë në Kuvend, Hajdaraga nuk priti asnjë sekondë dhe e dërgoi ish-kreun e Kuvendit me urgjencë në spital. Në vitin 1999 emërohet ministër i Mbrojtjes nga Pandeli Majko dhe më pas qëndron në këtë detyrë edhe me Ilir Metën-Kryeministër.

Gjatë luftës së Kosovës, Hajdaraga ishte ministri që menaxhoi situatën në kufi me Serbinë, por nuk u bë asnjëherë protagonist. Në qeverinë e Fatos Nanos, pas vitit 2002 emërohet zv.ministër i Jashtëm dhe për një periudhë të shkurtër drejtoi diplomacinë shqiptare në mungesë të ministrit.

Sipas ”Panorama” edhe pse Ilir Metën e kishte mik të afërt, madje e mbrojti fort në KPD-në e famshme të vitit 2003, Luan Hajdaraga nuk iu bashkua LSI-së kur ndodhi shizma e madhe e së majtës. Pas ardhjes së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga ka qenë vazhdimisht anëtar i Asamblesë Kombëtare Socialiste gjatë viteve të opozitës.

Një grup ish-drejtuesish të lartë të PS-së, kreu socialist i përfshiu në Grupin e të Urtëve, i cili do të ishte një këshill konsultativ i kryetarit. Përveç Luan Hajdaragës, në këtë grup bënin pjesë dhe Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Arta Dade, Namik Dokle, Bashkim Zeneli, Pandeli Majko etj..

Në kongresin e PS-së të vitit 2016, Luan Hajdaraga nuk u propozua kandidat për në Asamblenë Kombëtare, bashkë me disa emra me historike në këtë parti.

BIOGRAFIA E JETËS SË HAJDARAGËS

Luan Hajdaraga lindi më 2 gusht 1948 në Tiranë

Më 1966-1970 ndoqi Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Bukureshtit në Rumani.

Më 1973-1985 ishte punonjës shkencor dhe më pas drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike deri më 1992.

Më 1990 bashkë me një grup profesorësh iu bashkua Partisë Socialiste.

Më 1992 u zgjodh deputet i Partisë Socialiste, më pas kandidoi po ashtu për kryetar bashkie në Tiranë.

Më 1992-1996 ishte anëtar i Kryesisë së PS-së, ndërsa në vitet 1993-1996 nënkryetar i partisë.

Në vitet 1998-2000 u emërua ministër i Mbrojtjes, ndërsa në vitet 2001-2005 qe zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Marsin e 2018-s pësoi një hemorragji cerebrale të rëndë, më pas u dërgua për kurim në Turqi, por më 30 korrik 2018 ndërroi jetë në QSUT, Tiranë.

 

 

 

 

Aktualitet ish-ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga