
Sali Lushaj u ndalua mbrëmjen e djeshme (31 gusht) në një operacion të befasishëm nga policia pranë stadiumit “Dinamo”. Ndalimi i tij u bë, pasi iu gjet në automjet një armë zjarri. Por mësohet se Lushaj ndiqej nga një tjetër emër i njohur për Policinë e Shtetit.
Sipas Vox News, bashkë me të është ndaluar edhe Mustafa Lici, një nga personat që konsiderohet si një “ndër të fortët e Shkodrës”.
Gjatë aksionit, forcat “Shqiponja” kanë ndaluar dy mjete ‘Mercedes-Benz’ që udhëtonin njëri pas tjetrit. Fillimisht blutë kanë ndaluar drejtuesin e mjetit Sali Lushaj dhe pastaj edhe Mustafa Licin.
Pas kontrollit të dy mjeteve, Lushaj dhe Lici janë dërguar në Drejtorinë e Policisë. Shkaqet e ndalimit të Lushajt dhe shoqëruesit të tij nuk dihen ende.
Kush është Mustafa Lici?
Mustafa Lici është babai i Ibrahim Licit.
Lici akuzohet për një mori vrasjesh përmes atentateve në Shkodër. Më e fundit ishte ajo e Endri Mustafës një vit më parë në zonën e Livadheve në Shkodër. Kjo akuzë u kundërshtua një ditë më vonë nga të afërmit të Licit. Po ashtu, policia e akuzon Irahim Licin edhe për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, marsin e vitit 2019 në Shkodër. Në atë kohë u vunë në pranga dy bashkëpunëtorët e tij Arsen Stojku 29 -vjeç dhe Mislim Rama 23-vjeç nga Vau i Dejës, ndërsa vetë Lici u shpall në kërkim.