
U pajis me pasaportë shqiptare dhe u grumbullua nga Alban Bushi me kombëtaren U-21, Adana huazon Kurtulan në Kategorinë e Tretë
Arda Kurtulan, lojtari me origjinë të largët shqiptare, i cili u pajis edhe me pasaportë shqiptare në muajin nëntor dhe u grumbullua në Kombëtaren U-21 nga trajneri Alban Bushi, ku luajti dhe në miqësoret e fundit, është huazuar nga klubi i tij Adana Demirspor.
Kurtulan ka pasur një periudhë të vështirë pas kësaj zgjedhjeje, sepse më parë ishte pjesë e Maqedonisë U-21 dhe gjithashtu kërkohej edhe nga U-21 i Turqisë. Mesfushori me tipare sulmuese nuk gjeti hapësira te klubi i Superligës turke dhe për këtë është huazuar te skuadra e Karakabei Belediespor deri në fund të këtij sezoni. Karakabei është në Kategorinë e Tretë turke dhe synon ngjitjen një kategori më lart dhe për këtë tashmë ka një forcë më shumë.
Kurtulan më parë ishte pjesë e Fenerbahçes dhe u transferua tek Adana Demirspor. Që në fillim të sezonit, anësori 20-vjeçar nuk arriti të luante asnjë minutë në kampionat, ndërkohë që regjistroi vetëm një ndeshje, ku luajti 45 minuta. Ndërkohë, me kalimin dy kategori më poshtë, shqiptari do të gjejë më shumë hapësira, që do t’i shërbejnë për t’u kthyer në formën e tij më të mirë sepse ka qendruar për gjashtë muaj në stol.