Nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve ish- deputeti dhe njëherazi ish- kreu i Komunës Velipojë, Pashko Ujka. 64-vjeçari ka ndërruar jetë në spital.
Vlen të theksohet se, Ujka ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e plumbit të marrë nga atentati pranë shtëpisë. Persona ende të paidentifikuar i zunë pritë në një lulishte pranë Kishës Ortodokse, teksa po afrohej te banesa.
Më herët, familja e ish-zyrtarit bëri thirrje për ndihmë duke ftuar të gjithë personat që kanë grupin e gjakut “A negativ” të dhurojnë gjak në spitalin rajonal të Shkodrës.
Kujtojmë se, Pashko Ujka, ishte deputet i PDK-së në parlamentin shqiptar gjatë legjislaturës 2005-2009, madje edhe kryetar i këtij grupi parlamentar dhe pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike. Në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e partisë Demokristiane. Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së i mbështetur nga PS-ja në koalicionin për të ardhmen. Ujka ka drejtuar komunën e Velipojës nga 2011 deri në 2015 nën siglën e PS, dhe se dyshimet e para të policisë lidhen pikërisht me periudhën kur Ujka shërbyer si kryetar komune.
Ndërkaq, një tjetër pistë hetimi është edhe si ndërtues, nisur nga fakti se 64-vjeçari është ndërtues i disa pallateve në qytetin e Shkodrës vitet e fundit.