Sport24 Shkurt 2022, 19:23

UEFA kundër Vladimir Putin: Dënojmë pushtimin ushtarak të Ukrainës, nesër zbardhim vendimet e marra

Shkruar nga Pamfleti
UEFA kundër Vladimir Putin: Dënojmë pushtimin ushtarak të

UEFA kundër Vladimir Putin: Dënojmë pushtimin ushtarak të Ukrainës, nesër zbardhim vendimet e marra

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka bërë që edhe UEFA të dalë kundër vendimit të Vladimir Putinit për ndërhyrjen ushtarake. Organizata që drejton futbollin në Europë, sot ka mbajtur një mbledhje emergjence të Komitetit Ekzekutiv, ndërsa ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme do të zbardhen vendimet e plota që u morën.

“UEFA ndan shqetësimin e ndjeshëm të komunitetit ndërkombëtar për situatën e sigurisë që po zhvillohet në Europë dhe dënon me forcë pushtimin ushtarak të Rusisë që po vazhdon në Ukrainë.

Si organ drejtues i futbollit europian, UEFA po punon në mënyrë të palodhur që të zhvillojë dhe promovojë futbollin në përputhje më vlerat e përbashkëta europiane si paqja dhe respekti për të drejtat e njeriut, sipas frymës së Kartës Olimpike. Ne qëndrojmë të patundur në solidaritetin ndaj komunitetit të futbollit në Ukrainë dhe jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën popullit ukrainas.

Ne po përballemi me këtë situatë me seriozitetin dhe urgjencën maksimale. Vendimet do të merren nga Komiteti Ekzekutiv dhe do të publikohen nesër”, shkruhej në komunikatën për shtyp të lëshuar sot nga UEFA.

Pritet që hapi i parë i masave të institucionit të futbollit të jetë heqja e zhvillimit të të gjitha finaleve ndërkombëtare në territoret ruse, duke përfshirë këtu edhe finalen e Ligës së Kampioneve që këtë vit ishte planifikuar të luhej në Shën Petersburg.

Sport #pushtimi i Ukraines UEFA Vladimir Putin