Sport25 Janar 2023, 20:03

UEFA ndryshon kualifikueset e Europianit dhe Botërorit, preket edhe formati i Ligës së Kombeve

Shkruar nga Pamfleti
UEFA ndryshon kualifikueset e Europianit dhe Botërorit, preket edhe formati

UEFA ndryshon kualifikueset e Europianit dhe Botërorit, preket edhe formati i Ligës së Kombeve

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur sot të bëjë ndryshime drastike për ndeshjet e kombëtareve. Ai ka vendosur që të bëhen ndryshime si në formatin e Ligës së Kombeve, ashtu edhe në formatin e kualifikueseve të Europianëve dhe Botërorëve, që do të hyjnë në fuqi pas “EURO 2024”.

UEFA ka ndryshuar turnetë për t’i bërë më konkurrues, duke pasur parasysh se në situatën aktuale, një ekip i fortë mund të ndeshej me 2 skuadra shumë të dobëta, nëse binte në një grup me 6 ekipe në kualifikueset e Europianit apo Botërorit. Ndryshimet janë si më poshtë:

Liga e Kombeve

Turneu do të shtojë ndeshjet, por vetëm me një raund më shumë play-off që do të luhet në muajin mars, ndaj duke i shtuar vazhdimësi fazës së grupeve që mbaron në nëntor dhe finaleve për trofeun që luhet në qershor. Fituesit dhe skuadrat e vendeve të dyta në grupet e Ligës A, do të marrin pjesë në këto ndeshje play-off për të përcaktuar pjesëmarrësit në Final Four.

Skuadrat e treta të grupeve të Ligës A ndaj ekipeve të dyta në grupet e Ligës B, si dhe skuadrat e treta të Ligës B dhe vendet e dyta të Ligës C, do të luajë gjithashtu ndeshje play-off për ngjitjen dhe rënien. Të gjithë këto ndeshje do të zhvillohen në muajin mars.

Kualifikueset për Europianë apo Botërorë

Formati i ri do të jetë më i konsoliduar me skuadra që do të ndahen në 12 grupe me nga 4 apo 5 ekipe, për ta bërë turneun kualifikues më pak të parashikueshëm dhe më shumë dinamik. Sipas vetë UEFA-s, formati do të ketë më shumë konkurrencë duke shmangur shumë ndeshje me disnivel mes skuadrave. Skuadrat që janë në grup me 5 ekipe do të fillojnë në mars apo në qershor fazën e tyre kualifikuese, ndërsa skuadrat në grupe me nga 4 ekipe, do të nisin ndeshjet në muajin shtator.

Fituesit e grupeve të mësipërme shkojnë direkt në Europian apo në Botëror, ndërsa vendet e dyta mund të shkojnë direkt, apo nëpërmjet “play-off” në këto turne, bashkë me skuadrat që fitojnë këtë të drejtë nga Liga e Kombeve.

Sport Kampionati Botëror Kampionati Europian Liga e Kombeve UEFA