Sport20 Korrik 2018, 18:20

UEFA vonon, por nuk harron! Dënon presidentin e Romës me gjobë dhe skualifikim

Shkruar nga Pamfleti
UEFA vonon, por nuk harron! Dënon presidentin e Romës me gjobë

Presidenti amerikan i Romës, James Pallotta, është skualifikuar nga UEFA për tri muaj, si pasojë e ofendimeve të tij kundrejt gjyqtarit dhe zyrtarëve të ndeshjes në gjysmëfinalen kundër Liverpool në Champions League. Kryeqytetasit u mposhtën 5-2 në ndeshjen e parë në Angli, por luftuan në takimin e kthimit dhe i shkuan shumë pranë mrekullisë, por nuk ia dolën dot.

Mbrojtësi i Liverpool, Trent Alexander-Arnold e preku topin me dorë në pjesën e dytë, në një episod që gjyqtari duhet të akordonte penallti për Romën, por ai mendoi të kundërtën. Edhe një gol i anuluar për pozicion të dyshimtë jashtë loje të Edin Dzekos ishte një vendim shumë i kontestuar.

Pas ndeshjes, presidenti Pallotta e quajti gjykimin e ndeshjes si “qesharak, të dyshimtë dhe me disa vendime të palogjikshme.” Me këto deklarata, ai ka shkelur rregullat e etikës së UEFA dhe kësisoj është skualifikuar për tre muaj nga aktivitetet e UEFA dhe gjobitur me 19 mijë euro. Pallotta mund të shkelë sërish në stadiumin “Olimpico”të Romës në janar të 2019-ës.

Sport Champions League Liverpool Pallota Roma UEFA