Kremlini sinjalizoi të martën se shefi i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, së shpejti mund ta gjejë veten si objektiv i një atentati të organizuar nga Ukraina.
Megjithëse Prigozhin raportohet gjerësisht se ka zemëruar shumë zyrtarë në orbitën e Vladimir Putinit me veprimet e tij në Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se në fakt janë autoritetet në Kiev për të cilat Prigozhin duhet të shqetësohet.
Vetë Prigozhin pohoi më herët të martën se ai ishte informuar për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe drejtorin e CIA-s, William Burns, që supozohet se janë mbledhur për të diskutuar për vrasjen e tij.
“Kjo është më shumë një pyetje për shërbimet speciale. Por sa i përket tentativave për vrasje, Ukraina është e përfshirë edhe në tentativa për vrasje, edhe në një vrasje absolutisht monstruoze. Le të kujtojmë atentatet që ndodhën. Le të kujtojmë vrasjen e [Daria] Dugina e kështu me radhë. Përfshirja e regjimit të Kievit në tentativa të tilla për vrasje është e dukshme, kështu që ekziston një rrezik i tillë për qytetarët tanë”, tha Peskov.
Pretendimi për atentatin ndaj Prigozhin erdhi nga Vladimir Rogov, një nga udhëheqësit e autorizuar të Rusisë në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës.
“Një nga kërkesat që bëri Zelensky [gjatë një takimi me drejtorin e CIA-s] ishte vrasja e shefit të Wagner, zotit Prigozhin,” tha Rogov për mediat shtetërore ruse, pa dhënë detaje se ku e kishte marrë këtë informacion.
Ndërkohë Prigozhin, dukej se i pëlqente mundësia për të fituar statusin e martirit në shoqërinë ruse, dhe u tall përmes deklarate ku thoshte se vrasja e tij ishte një “ide shumë e mirë”.
“Jam dakord që është koha për të eliminuar Prigozhin. Nëse më drejtohen, do të asistoj patjetër”, tha ai me shaka.
Por për shumë, kjo mund të jetë një lëvizje e Putin së bashku me njerëzit afër Kremlinit, të cilët e shohin si kërcënim ngritjen e Prigozhin dhe po hedhin bazat për të bërë diçka vetë.
Madje edhe disa komentues rusë pro-luftës nxituan të theksojnë në mediat sociale se kërcënimi më i madh për shefin e Wagner-it ka më shumë gjasa të jetë në shtëpi.
Kujtojmë se shumë oligarkë rus dhe persona me influencë në Kremlin, të cilët kanë dalë kundër pushtimit të ukrainës, janë gjetur në mënyrë të mistershme të vdekur, pasi ishin qëlluar disa herë me armë.
Pavarësisht kësaj Kremlini në njoftimet zyrtare i ka quajtur këto vdekje të mistershme si vetëvrasje. Nuk do ishte çudi nëse një ditë do të dëgjonim diçka të ngjashme dhe për Prigozhin që është bërë një telash i madh për Kremlinin.