Bota12 Tetor 2022, 10:06

Ukraina merr sistemin e parë mbrojtës ajror nga Gjermania, ministri: Ky është vetëm fillimi!

Shkruar nga Pamfleti
Ukraina merr sistemin e parë mbrojtës ajror nga Gjermania, ministri:

Ukraina ka marrë sistemin e parë të mbrojtjes ajrore Iris-T nga Gjermania, njoftoi sot ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikovc nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Një epokë e re e mbrojtjes kundërajrore ka nisur në Ukrainë. Ky është vetëm fillimi, dhe ne kemi nevojë për më shumë,” tha ministri ukrainas.

Në qershor, kancelari gjerman Olaf Scholz i premtoi Kievit se do t’i dorëzonte sistemet Iris-T të afta për të mbrojtur një qytet të madh nga sulmet ajrore.

Të hënën, ndërsa raketat ruse ranë mbi Ukrainën , ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht siguroi se i pari nga këto sisteme do të mbërrinte në Kiev “brenda ditëve të ardhshme” dhe tre të tjera në vitin e ardhshëm.

Sistemi Iris-T ofron një mburojë 20 km të lartë dhe 40 km të gjerë.

Vetë ushtria gjermane ka raketa Iris-T, por jo sistemin e plotë tokë-ajër. Nga ana e saj, SHBA ka premtuar sisteme raketore tokë-ajër NASAMS: dy do të dorëzohen në javët ose muajt e ardhshëm dhe gjashtë të tjera si pjesë e ndihmës afatgjate për Ukrainën.

Ky sistem raketash tokë-ajër NASAMS është prodhuar nga Raytheon Amerikan dhe Grupi Norvegjez Kongsberg.

Bota Gjermania Ukraina