Bota24 Qershor 2022, 00:14

Ukraina padi kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Shkruar nga Pamfleti

Ukraina padi kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Ukraina ka ngritur zyrtarisht një padi kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për t’i dhënë fund “shkeljeve masive dhe të rënda të të drejtave të njeriut” nga forcat e Moskës gjatë luftës në Ukrainë.

Veprimi është konsideruar simbolik, pasi nuk ka asnjë shanc për sukses duke qenë se më 7 qershor parlamenti rus ka miratuar dy projektligje që i japin fund juridiksionit të kësaj gjykate në Rusi.

Përmes një deklarate nga ministria e Drejtësisë së Ukrainës, thuhet se: “Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pushtimi rus i Ukrainës është i paligjshëm. Gjykata do të ftohet të zbulojë se Rusia ka qenë fajtore për shkeljet më flagrante, serioze dhe të qëndrueshme të Konventës të paraqitura ndonjëherë përpara Gjykatës dhe të japë shpërblim të drejtë në një shkallë po aq të paprecedentë”.

Dosja e dërguar në gjykatë mbulon periudhën e parë të luftës, nga 24 shkurti deri më 7 prill, datë kur Rusia tërhoqi forcat e saj tokësore nga rrethi i Kievit dhe qyteteve të tjera veriore.

Deri më tani, Moska ka mohuar akuzat e Ukrainës dhe qeverive perëndimore për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë luftës. Por, në muajin mars, gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara për mosmarrëveshjet midis shteteve urdhëroi Rusinë të ndalonte operacionet ushtarake, duke thënë se ishte thellësisht e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga Moska.

Bota #lufta në Ukrainë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut Krime Lufte padi Rusi sulme