Bota 5 Mars 2022, 16:28

Ukraina: Rusia shkel marrëveshjen, nis bombardimin e korridoreve humanitare në Volnovakha dhe Mariupol

Shkruar nga Pamfleti
Ukraina: Rusia shkel marrëveshjen, nis bombardimin e korridoreve humanitare

Foto Ilustruese

Një ministër ukrainas ka akuzuar forcat ruse se kanë bombarduar qytetin Volnovakha në rajonin lindor të Donetskut, teksa një korridor evakuimi po bëhej gati të largonte civilët nga luftimet.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Ministrja e Riintegrimit të Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, Iryna Vereshchuk është shprehur se: “Në orën 11:45, Federata Ruse filloi të bombardojë qytetin e Volnovakha me armë të rënda.”- ndërkohë që: “Siç e dini, ne patëm një marrëveshje paraprake që nga ora 9:00 do të krijojmë dy korridore humanitare – Volnovakha dhe Mariupol. Rusia shkeli marrëveshjet pavarësisht ndërmjetësimit të Kryqit të Kuq, duke mospërmbushur angazhimet e saj dhe bombarduar qytetin e Volnovakha”.

Vereshchuk tha se luftimet po pengonin gjithashtu funksionimin e korridorit të dytë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

“Po zhvillohen luftime në drejtim të Mariupol-Zaporizhzhia, afër Pology-Orikhove, gjë që pengon lëvizjen e kolonës nga Mariupol në Zaporozhzhia”, tha ajo.

“Ne i bëjmë thirrje palës ruse që t’i japë fund bombardimeve, të kthejë armëpushimin dhe lejojë formimin e kolonave të korridorit humanitar në mënyrë që fëmijët, gratë dhe të moshuarit të largohen nga vendbanimet. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Federatës Ruse që të ofrojë mundësinë për të dërguar ndihma humanitare nga qyteti i Dnipro dhe qyteti i Zaporizhzhia, veçanërisht ato që përbëhen nga ilaçe dhe ushqime.”– vijoi më tej

Bota sulmet ruse Ukraina