Aktualitet15 Korrik 2018, 11:20

“Unë s’jam Teatri”

Shkruar nga Pamfleti
“Unë s’jam Teatri”

“Unë s’jam Teatri”

Aspekti i vetëm ku aktorët dhe regjisorët kanë të drejtë dhe duhen pyetur domosdoshmërisht është pjesa e brendshme e ndërtesës së projektuar e cila duhet t’iu përgjigjet në mënyrën më të mirë kërkesave teknike dhe profesionale të aktrimit.

Shkruan Viktor Malaj

Po të sjellim ndërmend “betejën” disamujore për teatrin që zhvillohet në rrugët e Shqipërisë, Parlamentin shqiptar dhe, sidomos, në median shqiptare do të vëmë re disa gjëra që meritojnë mirëkuptim e respekt dhe shumë gjëra që të ndjellin keqardhje dhe neveri. Sipas bindjes time, meritojnë mirëkuptim nostalgjia e disa aktorëve dinjitozë si Ndrenika, Arbana etj. dhe dhimbja që ndiejnë ata kur përfytyrojnë shembjen e  ndërtesës në skenën e të cilës, për dekada me radhë, kanë shfaqur talentin e tyre dhe kanë kurorëzuar mundin e tyre të shpërblyer keq materialisht, por shumë lart moralisht, duke i bërë të dashur për masën e madhe të artdashësve.

Meritojnë mirëkuptim dhe respekt ata fare pak qytetarë apo publicistë të cilët, për faj të qeverisë dhe për shkak të mjegullës së dendur të propagandës kryesisht mëllefqare të gjithfarë zorzopësh politikë dhe publicistësh me kacabunj, besojnë fort se pas prishjes së godinës së vjetër të teatrit dhe ndërtimit të së resë fshihet një aferë e madhe korruptive.

Nga ana tjetër, meritojnë neveri të gjithë ata politikanë pa moral që prej gati tre dhjetëvjeçarë, jo vetëm e kanë braktisur kulturën, teatrin dhe filmin si detyrime ndaj popullit të tyre por edhe, me fjalët, sjelljet, veprat dhe qeverisjet e tyre, nuk kanë lënë gur pa luajtur dhe mjet pa përdorur për të denigruar, fyer e poshtëruar artin, letërsinë, kulturën dhe krijuesit e këtyre vlerave shpirtërore e materiale të popullit shqiptar. Të njëjtën përbuzje meritojnë edhe ata publicistë dhe medie që gjatë kësaj periudhe ose kanë heshtur ose kanë bërë avokatinë për të mbrojtur sjelljet e ulëta të sharlatanëve politikë.

Në varësi të moralit, bindjeve dhe interesave të individëve, qëndrimet dhe interpretimet e tyre janë shfaqur në disa aspekte të cilat mund të përmblidhen në përgjigjet ndaj pyetjeve: A i nevojitet Shqipërisë (të paktën) një ndërtesë e re dhe moderne që të shërbejë si Teatër Kombëtar? A duhet ndërtesë e re apo duhet rikostruktuar ekzistuesja? A është ndërtesa ekzistuese një vepër arti, rrënimi i së cilës do të ishte një “veprim terrorist dhe antikombëtar” (siç e përcakton atë kryetari karagjoz i opozitës) dhe “shkatërrim i një monumenti të pazëvendësueshëm të kulturës dhe historisë shqiptare” (tha K. Çipi)? A ka të drejtë një qeveri e radhës të prishë ndërtesa të vjetra (qoftë dhe të artit) dhe t’i zëvendësojë me të reja? A përbën prishja e ndërtesës së vjetër dhe ndërtimi i së resë një veprim normal të qeverisjes apo është një aferë korruptive?

Unë nuk besoj se ka mendje normale që nuk e pranon se vendit i nevojiten, jo një por disa ndërtesa ku të luhen drama, komedi apo edhe tragjedi si dhe ndërtesa ku të shfaqen filma, shqiptarë apo të huaj.

Rrjedhimisht, një ndërtesë dinjitoze që të mund të konsiderohet si Teatri Kombëtar është krejt e nevojshme të jetë në kryeqytetin shqiptar. Ndërtesa ekzistuese, përveç amortizimit të gjithpranuar fizik është larg së qeni një vepër arti dinjitoze për një vend evropian apo “një ndërtesë e fisme”, siç e cilëson një analist antiqeveritar për vdekje.

Përrallat e një studiuesi arti që përpiqej të justifikonte ruajtjen e godinës ekzistuese pasi “është futuriste” janë pjesë e sindromës gati 30 vjeçare që ngre në qiell çfarëdo vepër “kulturore”, mjafton të quhet futuriste, impresioniste, kubiste, surrealiste etj., vetëm realiste të mos jetë.

Godinat më të mira të teatrove dhe muzikës që janë ndërtuar në kryeqytetet kryesore evropiane prej disa shekujsh nuk ruhen dhe restaurohen periodikisht vetëm për shkak të ” kujtesës historike”, por, para së gjithash sepse janë dhe ka të ngjarë të mbeten edhe për shumë shekuj vepra arti të paarritshme. Godina e Teatrit Kombëtar në Tiranë ngjan me një stallë kuajsh kur e krahason me La Skala të Milanos, Balshoi Teatër të Moskës apo Salla e Koncerteve të Vjenës etj.

Pavarësisht glorifikimit hipokrit që i bëjnë asaj godine disa individë hileqarë, shembja e saj as nuk dëmton “kujtesën historike” dhe as kulturën shqiptare. Ky konkluzion bëhet edhe më bindës kur njeriu sjell ndërmend që ata që sot thonë se “godina e teatrit është e shenjtë” apo “është vlerë e papërsëritshme kombëtare”, dje bënin çmos të na bindnin se letërsia, teatri, filmi, piktura, skulptura etj. të realizuar përpara 1990 duheshin ndaluar apo, në rastin më të mirë, duheshin përzgjedhur (censuruar).

Këta mendojnë se shqiptarët janë aq budallenj sa të besojnë se historia e artit dhe e kulturës mund t’iu transmetohet brezave të ardhshëm nëpërmjet ruajtjes së disa karakatinave ku është interpretuar vepra artistike dhe vetë vepra (e fotografuar dhe videoregjistruar) duhet zhdukur. Shumica e këtyre autorëve të handakosur ose kanë heshtur ose kanë bërë avokatinë e qeverive të mëparshme që lejuan, nxitën dhe ndihmuan në rrënimin e Kinostudios ku u prodhuan filmat, që i prishën ose i kthyen në qendra bixhozi kinematë e vendit, që lejuan ndërtime kioskash, hotelesh apo banesash në kështjellat e vendit apo qendrat arkeologjike dhe historike, që lejuan dhe nxitën dëmtimet dhe shkatërrimet e pikturave apo skulpturave anekënd Shqipërisë.

Aspektin historik dhe argumentimin më të plotë në shërbim të ruajtjes së godinës ekzistuese e ka bërë studiuesi i njohur A. Plasari dhe, pavarësisht mospajtimit me të, mendimet e tij meritojnë respekt. Por, ekzagjerimet dhe absurditeti i pasioneve të errëta ndaj “aferës” së teatrit, mjerisht, arritën kulmin me pohimin e një akademiku hokatar i cili u shpreh se “Zoti… e deshi kështu, që demokracia shqiptare të lindte tek studentët dhe të vdiste tek teatri”.

Një pavërtetësi e tillë historike dhe cektësi intelektuale nuk do të duhej t’i lejohej as edhe një mësuesi filloreje, mirëpo qëndrime të tilla na përforcojnë bindjen se jo rrallë karakteret e deformuar i zhvlerësojnë edhe dijet e mëdha po aq lehtë dhe shpejt sa një gjilpërë e vogël shfryn një kacek të fryrë.

Për të kuptuar mendjemadhësinë, fudullëkun dhe moralin e këtij akademiku që jep moral përditë do të mjaftonte një shkrim i tij i kohëve të fundit ku, pasi tall çdo gjë të krijuar “përpara demokracisë”, shpreh përbuzjen e tij ndaj 90% të popullsisë, ndaj fshatarit dhe punëtorit, të cilët i personifikon me emrin “Lezja”, e cila i shfaqet në ëndërr “me veshë mbyllur dhe mban në dorë një pankartë a flamur që valëvitet mbi çatinë e buldozerit ku shkruhet: La ferme des animaux! A bas la culture des hommes!…”.

Meqë veten e tij dhe një grusht individësh që i përkasin “elitës dhe fisnikërisë” i konsideron jashtë dhe mbi gjithkënd tjetër, autori e shkruan konsideratën e tij për njerëzit e punës vetëm në frëngjisht, që ta kuptojë vetëm “elita” së cilës i përket, pasi 90% e popullsisë, sipas tij, nuk meritojnë t’iu shpjegohet asgjë për teatrin dhe kulturën pasi ata i përkasin pankartës që mban Lezja që, e përkthyer, thotë: “Ferma e kafshëve! Poshtë kultura e njerëzve!”. Pastaj kërkon keqardhjen tonë për mundimet e tij të shkuara dëm kur thotë: “Por, si t’ia shpjegosh Lezes në ëndërr këto? Ku kupton Lezja nga filozofia dhe metafizika?”.

Që të mendosh se ndërtesa e vjetër e Teatrit duhet ruajtur nuk është sakrilegj dhe as krim, por të përpiqesh ta shesësh atë si vepër arti të pazëvendësueshme, si shkatërrim të kulturës shqiptare apo si “vdekje të demokracisë” është një teprim pasionantësh ekstremistë, sjelljet e të cilëve nuk shtyhen nga arsyeja dhe vizioni, por thjesht nga interesat që arrihen me “qitje të largëta”. Nëse reagimet kundër të disa aktorëve janë të mirëkuptueshëm, shprehjet e ndonjë aktori që citon Ali Asllanin apo të ndonjë tjetri që cilëson qeverinë “bandë mafjoze” tregojnë qartë se ata nuk i ha meraku për artin dhe kulturën, por vihen në shërbim të politikës që i nxit në prapaskenë.

Përpjekjet e disa aktorëve për ta paraqitur ndërtesën e Teatrit si pronë të tyre apo spekulimet e ndonjë halabaku politik që thotë se “Do ta mbrojmë Teatrin me trupat tanë… pushteti është i popullit”  janë manipulim i pastër dhe tallje me të vërtetën. Si të gjitha objektet e tjera publike, edhe ndërtesa e Teatrit është pronë e gjithë popullit dhe aspak vetëm e atyre që punojnë në të. Një nga detyrat kryesore të çdo qeverie është miradministrimi i pronës publike. Ndërtesat as nuk prishen dhe as ndërtohen në varësi të përqindjes së miratimit nga populli. Një qeveri është votuar për të vendosur vetë çfarë duhet bërë në shërbim të vendit dhe popullit.

Nëse vepron gabim politikisht do ta marrë dënimin në zgjedhjet e radhës. Nëse shkel ligjet gjatë administrimit të pronës publike do të përgjigjet penalisht para organeve të drejtësisë. Prishja e godinës së vjetër dhe ndërtimi i një tjetër godine të re dhe më moderne nuk lidhet me jetën e një apo disa aktorëve të cilët, nëse janë të aftë mund të interpretojnë në skenat e tjera teatrale në dispozicion dhe pastaj në skenën e ndërtesës së re kur të përfundojë dhe jo ashtu si thotë aktori Çipi se “Asnjë individ nuk duhet të marrë vendime personale për jetët tona”.

Shoqëria njerëzore është e organizuar në mënyrë të tillë nga SHBA në Japoni dhe nga Islanda në Australi që të zgjedhurit me votën e popullit mund dhe duhet të marrin disa vendime që ndikojnë në jetët tona dhe nuk cenojnë drejtpërdrejt të drejtat tona kushtetuese. Asnjë qeveri nuk mund të pengohet “me trupat tanë” pse kërkon të ndërtojë diçka që iu përket të gjithëve. Kjo nuk lejohet askund në botë pavarësisht përrallave të treguara në shtyp për “një grua në SHBA që jetoi dy vjet në një pemë për të mos lejuar…”.

Aspekti i vetëm ku aktorët dhe regjisorët kanë të drejtë dhe duhen pyetur domosdoshmërisht është pjesa e brendshme e ndërtesës së projektuar e cila duhet t’iu përgjigjet në mënyrën më të mirë kërkesave teknike dhe profesionale të aktrimit.

Qëndrimet e opozitës politike, të asaj opozite në qeverisjet e përsëritura të së cilës kultura ka qenë gjëja që ka munguar më shumë, jo vetëm në aspektin e sjelljes së saj por, mbi të gjitha në mënyrën e qasjes dhe kujdesit ndaj trashëgimisë kulturore dhe financimit e zhvillimit të mëtejshëm të saj, janë qëndrime thjesht penguese, nihiliste dhe të paskrupullta që iu ngjajnë veprimeve të të mbyturit që kapet pas fijes së kashtës.

Kur pashë Lulzim Bashën në protestë me një parullë në barkun e tij milioner ku shkruhej “Unë jam Teatri” më erdhi për të qeshur dhe mendova se ajo parullë, për të treguar të vërtetën, duhej zgjatur dhe shkruar: “Unë jam teatral, hipokrit, gënjeshtar i pashoq, mashtrues dhe i padenjë…”. Me milionat që iu ka shpërdoruar shqiptarëve kur ishte Ministër Transporti do të mund të ndërtoheshin dhjetëra teatro dhe kinema në të gjithë vendin. Nën qeverisjet e tij dhe të partisë së tij janë grabitur, rrënuar apo vjedhur dhjetëra objekte social-kulturore të Shqipërisë për të triumfuar kultura e kioskave, firmave piramidale dhe qendrave të atykëtushme të bixhozit.

Nga ana tjetër, mendoj se qeveria shqiptare ka disa gabime edhe lidhur me “aferën” e Teatrit. Në çështje të tilla të ndjeshme, dhe jo vetëm, nevojitet një transparencë më e madhe. Duhet qartësuar pse është e domosdoshme një ndërtesë e re e Teatrit Kombëtar, sa mund të jetë afërsisht kostoja e ndërtimit të saj, pse po vihet në funksionim metoda e Partneritetit Publik-Privat, çfarë epërsish ka Kompania “Fusha” ndaj të tjerave të mundshme për ndërtimin e objektit, pse do të pranohet projekti danez i Teatrit të ri dhe jo një tjetër, sa është sipërfaqja që zë godina e vjetër e Teatrit dhe sa sipërfaqe do t’i jepet kompanisë ndërtuese, sa kushton njësia katrore e truallit që përfiton ndërtuesi dhe çfarë përfiton shteti (qytetarët shqiptarë) etj.

Mosdhënia e këtyre shpjegimeve lë vend për hamendësime, dyshime dhe spekulime siç janë ato të një analisti anti-kryeministër që, pa përgjegjësi vetjake morale, pohonte se “Qeveria po i fal biznesmenit Fusha një pronë publike me vlerë 200 milion euro”. Këtu, përveç opozitës së diskredituar politike, janë edhe një tufë analistësh të cilët konsiderojnë “aferë korruptive” çdo investim qeveritar dhe janë kundër çfarëdo lloj ndërtimi dhe nuk japin asnjëherë opsionin e tyre për problemet përkatëse, siç është edhe ai i incineratorëve (djegësve të mbeturinave) të cilët një politikano – analist i konsideronte “një dështim dhe mallkim për qytetarët” pa na shpjeguar si do ta zgjidhte ai këtë problem po të ishte drejtues i vendit.

Marrëzia që prodhojnë pasionet dhe nxisin interesat i ka shtyrë disa publicistë, jo vetëm të pohojnë se “Një ligj për prishjen e Teatrit do të ishte i papranueshëm edhe po të ishte bërë duke u mbështetur qartazi në Kushtetutën e vendit”, por edhe t’i bëjnë thirrje opozitës aktuale që t’i shembë kullat që do të mund të ndërtoheshin njëherësh me godinën e Teatrit. Megjithëse përgjithësisht jam kundër ndërtesave të larta dhe preferoj hapësirat e gjelbëruara, thirrjen e mësipërme e konsideroj antipopullore pasi realizimi i saj do iu kushtonte shqiptarëve dhjetëra apo qindra milion euro për të dëmshpërblyer pronarët e tyre, ashtu siç e konsideroj të pavërtetë dhe hipokrit pohimin e një analisti tjetër se “…kullat me shumë kate e bëjnë Tiranën një ferr të pajtueshëm”.

Jo rrallë më troket në vetëdije ideja t’i bëj thirrje qeverisë të heqë dorë fare nga ndërtimet e Teatrit të ri pasi është pothuaj e sigurt se vështirë se do të shohim në ato skena ndonjë N. Frashëri, K. Roshi, S. Prosi, M. Xhepa, R. Ndrenika, R. Larja etj. por në vend të tyre do të shohim shfaqje si ajo që u soll para disa vitesh nga Vjena dhe ku në skenë mbizotëronin një tufë me kocka njerëzish dhe disa aktorë të shpërfytyruar që silleshin si somnambula.

Do të shohim jo pak aktore që do të demonstrojnë lakuriqësinë dhe bollëkun fizik, bashkëshoqëruar me zbrazëtinë mendore dhe varfërinë kulturore, siç bëri pak vite më parë një aktore shqiptare e famshme për gjithçka e cila, për të sfiduar regjimin e vdekur, shtrihej gjysmë lakuriq mbi një tryezë të mbushur me gogla që i gudulisnin trupin “e vuajtur” nën diktaturë. Të gjitha këto dhe të tjera iu shiten shqiptarëve për “art modern”, por është një “art” që “Lezet” nuk e kuptojnë dhe as e pëlqejnë, është ushqim vetëm për ekspertët e filozofisë dhe metafizikës.

Megjithëse pamja e jashtme e projektit të godinës së re të Teatrit nuk më ngjalli kurrfarë kënaqësie artistike, “unë nuk jam me Teatrin”. Tiranës i nevojitet një godinë dinjitoze Teatri, e projektuar dhe ndërtuar në shërbim të shijeve artistike të disa brezave pasardhës, por me koston më të ulët të mundshme dhe me transparencën më të madhe të mundshme. Për mua, e vetmja gjë që lë vend për diskutime lidhur me Teatrin e ri është kostoja dhe fakti nëse në territorin e Teatrit do të lejohet apo jo ndërtimi i kullave shumëkatëshe. Predikimet dhe vajtimet për prishje të kujtesës historike apo kulturës kombëtare janë thjesht një hipokrizi e neveritshme.

Forum teatri Viktor Malaj