Shitblerja e punimeve, me të cilat studentë të caktuar diplomojnë në nivelin ‘bachelor’ dhe ‘master’ në universitetet dhe kolegjet në Kosovë, tash e disa vite, është shndërruar në dukuri, thonë hulumtues nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”. Fenomeni i shitblerjes së diplomave është nxitur pikërisht nga “zhvlerësimi” i procesit të diplomimit në universitete dhe kolegje të caktuara.
Prishtinë, 28 maj – Në disa faqe të marketingut, ofertues të caktuar kanë shkruar se ofrojnë “asistencë” gjatë punimit të temave të diplomës dhe këtë “asistencë” e arsyetojnë si formë të lekturës dhe redaktimit të temave të diplomimit dhe të punimeve seminarike. ka grupe që kanë bërë edhe “koleksione të temave” dhe individët “mund të zgjedhin çfarë duan”.
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, qysh në vitin 2017, ka publikuar një hulumtim, që ka nxjerrë në pah dukurinë e shitblerjes së punimeve për diploma universitare. Kostoja e tyre sillet prej 150 deri në 200 ose 300 euro, varësisht llojit të temës .Së voni, hulumtimit i është bërë një përditësim, i cili, siç thuhet, veçse e ka konfirmuar dukurinë.
Nëse hulumtojmë në rrjetet sociale dhe në disa faqe marketing, nuk është problem të gjejmë “oferta” për tema të diplomave, të bëra nga persona anonimë, që japin vetëm adresat e tyre elektronike dhe numrat e telefonit.
Policia e Kosovës është në dijeni mbi këtë dukuri kriminale, ndonëse deri më tani nuk janë publikuar shifra të sakta të ndjekjeve dhe arrestimeve, pasi shitja e diplomave klasifikohet si “falsifikim” dhe ajo nuk është e ndarë nga veprat tjera që klasifikohen njësoj.
Studentët të cilët pajisen me “diploma “ të tilla si mund të kalojnë filtrin e mentorëve të tyre. Si është e mundur që këta të fundit të mos e dallojnë një punim diplome të blerë në tregun e zi të Prishtinës?
Prandaj faji nuk bie vetëm mbi studentët, por edhe mbi profesorët, sepse ata duhet të ndjekin me përpikëri procesin e përgatitjes së një punimi diplome. Nëse ky proces kalon shkel e shko, atëherë tregtarët e diplomave do të jenë prezent si hije prapa dyerve të universiteteve.
Për të parandaluar këtë deformim, tash së fundmi Universiteti i Prishtinës ka miratuar një rregullore për masat dhe procedurat disiplinore, përmes së cilës, studentët që tentojnë të diplomojnë me punime të blera, sanksionohen. Masat disiplinore parashohin pezullimin e përkohshëm të kandidatit nga studimet e mëtejme e deri te përjashtimi i plotë nga Universiteti.
Vlerësim i dijës së studentëve duhet patjetër të kalojë nëpër filtrat e paraparë, në mënyrë që diploma të mos konsiderohet vetëm si një cope letër që të hap rrugë për punësim, por edhe instrument i domosdoshëm që verifikon shkallën e njohurive të fituara në universitet.