Aktualitet17 Qershor 2022, 15:10

Urdhri i SPAK, Milaim Zeka: Janë avokatët e prokurorët ata që shesin informacione, gazetarët nuk zbulojnë sekret

Shkruar nga Pamfleti
Urdhri i SPAK, Milaim Zeka: Janë avokatët e prokurorët ata

Gazetari Milaim Zeka ka reaguar në rrjetet sociale për urdhrin e fundit nga SPAK, urdhër i cili do të çojë përpara ligjit të gjithë gazetarët që do të publikojnë detaje nga dëshmia e Nuredin Dumanit.

Ai shprehet se SPAK ka të drejtë për vendimin, por adresa është e gabuar.

SPAK ka të drejtë absolute për vendimin ndaj gazetarëve, ama adresa e gabuar. Askund në botën perëndimore, përpos në vendet ballkanike, nuk më ka rastisur që protokollet e policisë hetuese, ku merret në pyetje një i dyshuar, akoma pa arritur mbi tavolinën e prokurorit, publikohen nëpër media të ndryshme. Moderator dhe gazetar, disa me, e disa padashje, dëmtojnë rëndë procesin e hetimeve, të dyshuarin, dhe njerëzit tërësisht të pafajshëm”, u shpreh Zeka.

Ai tha se njeriu mund të qëllojë edhe rastësisht nëpër tavolina me njerëz të ndryshëm e për arsye të ndryshme, por kjo nuk do të thotë që të bëhen gjyqe publike.

Njeriu, duke udhëtuar me një anije, me makinë, ose tren e avion, rastësisht mund të takohet me një vrasës, me një bos droge, me e me… Dhe bam, të del fotografia, të del zëri në një përgjim ambiental, pa çka që ti je duke treguar një barsoletë, ose një histori erotike. Hajde pastaj ndalo gjyqet publike: A ndëgjove, edhe Milaimi kish qenë i përfshirë. Policia e kishte more zërin e tij. Ka fakte more. Kaq mjafton sa për të marrë në qafë. Ku mundet p.sh. në një vend perëndimor të bëhet publike deklarata e Dumanit i cili e implikon edhe Presidentin Ilir Meta në vrasje?! E pamundur, deri sa të arrestohej presidenti, ose të konsiderohej dëshmia si e rrejshme”, shtoi deputeti.

Zeka u shpreh se gazetarët nuk zbulojnë sekrete, ata vetëm i publikojnë ato dhe se SPAK duhet të merret me avokatët e prokurorë, pasi ata shesin informacione të brendshme.

Në krejt këtë histori, adresa e SPAK-ut është 1000 për qind e gabuar. Gazetarët nuk zbulojnë sekrete. Ata vetëm i publikojnë ato. SPAK-u duhet të hetojë hetues, prokurorë, e sidomos avokatë, që i japin, madje edhe i shesin këto informacione tepër të ndjeshme. E krejt në funde, për etiken e gazetarëve mund të flasim me muaj të tërë, ama për çka do flasësh kur ajo nuk ekziston…!!!”, përfundoi Zeka.

Aktualitet milaim zeka Nuredin Dumani SPAK