Aktualitet16 Qershor 2022, 17:05

Urdhri i SPAK për dëshmitë e Dumanit, Romeo Kara: Penalitetin ta fillojë nga vetja, publiku duhet të njihet me politikanët që porositin vrasje

Shkruar nga Pamfleti
Urdhri i SPAK për dëshmitë e Dumanit, Romeo Kara: Penalitetin ta

Juristi Romeo Kara ka reaguar ashpër mbi vendimin e SPAK për të ndëshkuar këdo që publikon dëshmitë e Nuredin Dumanit. Me një urdhër të çuditshëm, SPAK kërcënoi gazetarët me burg nëse publikojnë çfarë ka thënë i penduari i drejtësisë.

Për juristin Kara, ndëshkimi duhet të fillojë nga vetë prokurorët e SPAK, pasi janë ata që kanë nxjerrë të dhënat.

Penaliteti duhet të fillojë nga vetë SPAK-u, i cili nuk ka lënë informacion pa nxjerrë në pazar. Publiku ka shumë interes dhe do që të njihet me urdhëruesit politikë ose jo të vrasjeve si dhe paguesit e tyre.

Transparenca do t’i shërbejë edhe vetë SPAK-ut, nëse ai e ka marrë seriozisht këtë çështje. Koha e skutave dhe e presioneve ka mbaruar.  Nëse ka shkelje ligjore, SPAK-u të zbatojë ligjin dhe jo ta zëvendësojë atë me urdhra paralajmërues”, tha ai.

Paradite SPAK njoftoi marrjen e vendimit, duke kërcënuar mediat dhe gazetarët se nëse publikojnë të dhënat, do të dënohen me 5 vite burg sipas parashikimeve të nenit 195/a i Kodit Penal. Urdhri i nxjerrë mban firmën e tre prokurorëve Doloreza Musabelliu, Altin Dumani dhe Behar Dibra. Ata nënvizojnë se duhet ruajtur sekreti hetimor duke kërkuar ndalimin e publikimit të deklarimeve të tyre dhe shpërndarjen e tyre përmes shtypit dhe informacionit masiv.

Urdhërohet ruajtja e sekretit të deklarimeve të dhëna nga ana e Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani në kuadër të procedimit penal nr.75 të vitit 2022 në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë apo si person ndaj të cilit zhvillohen hetime deri në përfundim të hetimeve.

Ndalimin e publikimit qoftë edhe të pjesshëm të procesverbalit të deklarimeve të shtetasve Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime apo edhe në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ndalimin e publikimit të përmbajtjes së këtyre akteve nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv. Mozbatimi i këtij urdhri sjell përgjegjësi penale sipas parashikimeve të nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5 të Kodit penal”, thuhet në urdhërin e publikuar.

Aktualitet #urdhi Kara SPAK