Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se iu kërkoi luftëtarëve të Azovstal, që përbën edhe rezistencën e fundit ukrainase në Mariupol, që të shpëtojnë jetët e tyre, pas pretendimeve të ushtrisë ruse që ata ishin dorëzuar.
“Sot djemtë morën një sinjal të qartë nga komanda ushtarake se ata mund të dalin dhe të shpëtojnë jetën e tyre,” tha Zelensky për një kanal televiziv ukrainas, raportoi Reuters.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se grupi i fundit i mbrojtësve të regjimentit Azov, një grup prej 531 personash, u dorëzua sot, duke shtuar se që nga 16 maji, 1,439 ushtarakë ukrainas kishin dorëzuar armët. Pak më parë autoritetet ruse bënë me dije se kishin marrë kontrollin e plotë të uzinës.