Aktualitet28 Prill 2022, 22:24

Vajza e deputetes socialiste Luljeta Bozo fiton tender 100 milionë lekë

Shkruar nga Pamfleti
Vajza e deputetes socialiste Luljeta Bozo fiton tender 100 milionë

Zyra arkitekturore e Ilirjana Bozos, vajzës së deputetes së Partisë Socialiste Luljeta Bozos, ka përfituar një tender të zhvilluar nga Universiteti publik i Durrësit, me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra.

Në Dhjetor të vitit 2021, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, shpall tenderin për “Studim Projektim i Godines së Re të Fakultetit të Studimeve Profesionale” me fondi limit 9.038.696 pa TVSH.

Në Buletinin Publik të datës 26 Prill 2022, njoftohet se fitues paraprak është shpallur “Studio-Rebus”, me ofertë 8.850.000 lekë pa TVSH.

“Studio-Rebus” është në pronësi 50 për qind të Ilirjana Bozos, vajza e deputetes socialiste, Luljeta Bozo. Ky fakt krijon dyshimet se tenderi është fituar në kundërshtim me ligjin për “Konfliktin e Interesit”.

Ky ligj, në nenin 21 të tij, parashikon që zyrtarëve me funksion deputet u ndalohet të lidhin kontrata me institucionet publike. Ky ndalim shtrihet edhe për “personat e lidhur” me deputetët, që sipas këtij ligji janë “bashkëshortët dhe fëmijët madhorë”.

Universitetet publike konsiderohen “institucione publike”, sipas ligjit “Për arsimin e lartë”, pasi një pjesë të rëndësishme të financimit të tyre e marrin nga Buxheti i Shtetit.

Pra, referuar përcaktimeve ligjore, vajza e deputetes Luljeta Bozo, nuk mund të përfitojë kontrata nga institucionet publike, siç është edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Megjithatë, të dhënat zyrtare dëshmojnë se “Studio-Rebus”, në pronësi 50 përqind të Ilirjana Bozos, është shpallur fituese e tenderit publike me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra. /Ora News/

Aktualitet Luljeta Bozo tender