Së fundmi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, hodhi poshtë edhe një herë kritikat, sipas të cilave BE kishte vonuar arritjen e marrëveshjeve për vaksinat me laboratorët farmaceutike, sipas shtypit gjerman.
”Vështirësitë në furnizimin me vaksina kundër COVID-19 në Europë lidhen me faktin se ekziston një mungesë globale e përbërësve të rëndësishëm që shkojnë në prodhimin e vaksinave”, theksoi ajo në një artikull të të përjavshmes ”Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, i publikuar ditën e sotme.
Duke pranuar se ky problem po shkaktonte vështirësi për shkak të pritjeve të mëdha nga europianët, ajo nënvizoi se nëse të gjithë do të kishim qenë të vetëdijshëm në kohën e rreziqeve lidhur me fillimin e një prodhimi kaq masiv, atëherë do të kishim zbutur pritjet përsa i përket një vaksinimi të shpejtë.
Kujtojmë se deklaratat e saj vijnë në një kohë kur kritikat janë shtuar në Gjermani dhe në Europë për ngadalësinë e ndërmarrë nga fushata e vaksinimit, e filluar pas Krishtlindjeve, ndërsa popullatat duken të rraskapitura nga muaj kufizimesh.