Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, ka dhënë dorëheqje, të mërkurën.
Vetë Krasniqi e ka kumtuar lajmin përmes një postimi në Facebook.
Arsyeja e dorëheqjes është gjendja saj shëndetësore. Thotë se e ka problem të udhëtojë në rotacionin SHBA – Kosovë.
“Sidoqoftë ashtu si edhe deri më sot, unë do të vazhdoj angazhimin publik për Kosovën në SHBA, sidomos në Kongresin Amerikan. Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejt do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë”, ka shkruar ajo në Facebook.
E ka falënderuar Lëvizjen Vetëvendosje për mundësinë e dhënë.
Partia e Albin Kurtit e vendosi në mesin e deputetëve të parë të listës zgjedhore.
Ajo e fitoi mandatin dhe premtoi fuqizimin e kauzës për drejtësinë e grave të dhunuara gjatë luftës.
Vetë Vasfije Krasniqi gjatë luftës së fundit në Kosovë ka qenë viktimë e dhunës seksuale nga forcat serbe.