Bota12 Prill 2019, 09:19

Vazhdojnë luftimet në Libi, OKB bën thirrje për armëpushim

Shkruar nga Pamfleti
Vazhdojnë luftimet në Libi, OKB bën thirrje për

Vazhdojnë luftimet në Libi, OKB bën thirrje për armëpushim

Trupat e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Libi vazhduan luftimet me forcat e Ushtrisë Kombëtare për kontrollin e kryeqytetit Tripoli.

Luftimet më të reja mes grupeve rivale në Libi kanë hyrë në ditën e gjashtë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, paralajmëroi se vendi po përballet me një “situatë shumë të rrezikshme” si dhe bëri thirrje për ndaljen e armiqësive.

“Ende ka kohë për një armëpushim, ndërprerje të armiqësive dhe për të shmangur më të keqen, e cila do të ishte një betejë dramatike dhe e përgjakshme për Tripolin”, tha Guterres.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 11 prill tha se të paktën 56 vetë kanë vdekur, 266 të tjerë janë plagosur dhe mijëra njerëz kanë ikur nga zona pranë kryeqytetit Tripoli.

Forcat e Ushtrisë Kombëtare të Libisë, grup që udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar, nisën një ofensivë të enjten e kaluar, me qëllim marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja.

Rusia ka qenë një mbështetëse kryesore e Ushtrisë Kombëtare të Libisë, së bashku me Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vendi i Afrikës së Veriut është shkatërruar nga dhuna, paqëndrueshmëria politike dhe përpjekjet për marrjen e pushtetit që kur sunduesi, Muamar Gadafi, u rrëzua nga pushteti dhe u vra në vitin 2011./REL

Bota Antonio Guterres forcat e Ushtrisë Kombëtare të Libisë luftimet në Libi sekretari i Përgjithshëm i OKB