
Vazhdon seria e dëmtimeve për Gjermaninë para Botërorit, një alternativë më pak për “Pancerat” në ofensivë
Hansi Flik do të ketë probleme në ndërtimin e një reparti të avancuar në përputhje me pritshmërinë që ka ndaj Gjermaninë në Botërorin e Katarit. Shkak janë bërë dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve të cilët pritej të merrnin pjesë në këtë aktivitet.
Sulmuesi i Volfsburgut, Lukas Nmeça ishte në garë për një vend në skuadrën e “Pancerave” për Kupën e Botës. Gjërat për lojtarin nuk shkuan siç duhet, pasi u dëmtua mbrëmë në kampionat.
Ndërsa pritet një përgjigje përfundimtare për Marko Rojs, Flik ka humbur fillimisht shërbimet e Timo Verner e tani edhe të Lukas Nmeça. Sulmuesi i Volfsburgut është dëmtuar në duelin e fundjavës ndaj Borusias së Dortmundit dhe tani raportohet se do të mungojë për disa javë për shkak të këputjes së një tendine.
Kështu, Flik duhet të mendohet mirë tashmë për të ndërtuar repartin e avancuar ku i mungojnë shumë alternativa apo emra të cilët kishin luajtur rregullisht për Gjermaninë që kur ai mori drejtimin e saj.