
Prokuroria e Tiranës ka publikuar ekspertizën mjeko-ligjore të vdekjes së Lear Kurtit, i cili humbi jetën teksa po transportohej nga rajoni i policisë në spital. Bëhet me dije se shkak i vdekjes së 32-vjeçarit është mbidoza e lëndës narkotike të llojit kokainë, që i ka shkaktuar ndalimin e menjëhershëm të zemrës.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr 494/22 datë 14.11.2022, në lidhje me shkaqet e vdekjes së shtetasit Lear Kurti.
Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:
Mbidozim (Helmim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkërisë, hepatit kronik persistent.
Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).”- njofton prokuroria.
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e 19 tetorit rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte, por 32-vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Në njoftimin paraprak, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit 32-vjeçari ka shfaqur problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës. Burime nga uniformat blu thanë se i riu ka pasur dridhje trupi dhe të vjella. Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë.
Sipas njoftimit, nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.