Politike24 Mars 2022, 12:38

Vdekja e Madeleine Albright, Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje

Shkruar nga Pamfleti
Vdekja e Madeleine Albright, Kuvendi i Shqipërisë mban një

Vdekja e Madeleine Albright, Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje

Deputetët e Kuvendit të Republikës kanë mbajtur një minutë heshtje në nder të ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë ditën mbrëmjen e të enjtes në moshën 84-vjeçare.

Propozimi për mbajtjen e një minute heshtjeje në nder të Albright u propozua nga kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, anëtari i Komisionit të Rithemelimit Edmond Spaho dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Pjesë nga diskutimet

Edmond Spaho: Sikur e dini është në nderin e këtij Kuvendi që të mbajë një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish sekretares amerikane së shtetit Madeleine Albright, për shkak dhe të kontributit të saj në çështjen e Kosovës.

Ermonela Felaj: Në fakt është një kërkesë që mu bë dhe nga zoti Balla, do ju kërkoja që në orën 12:00 të mbajmë një minutë heshtje në nderim të Albright.

Taulant Balla: Faleminderit që e përfshitë si propozim të zotit Spaho dhe zonjës Tabaku, në mënyrë që në orën 12:00 kjo minutë heshtje në nder të ish-sekretares Madeleine Albright të mbahet.

Jorida Tabaku: Në emër të grupit parlamentar demokrat kemi kërkuar mbajtjen e një minutë heshtje në nder të zonjës Madeleine Albright për të vlerësuar rolin e saj në Ballkan, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për rolin e saj që ndodhi në Kosovë kundër spastrimit dhe gjenocidit.

Emigrantja ceke që u shndërrua në një veterane të politikës së jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe që u ngjit deri në nivelin e kryediplomates në 1997-tën në qeverinë Clinton, u shua në moshën 84-vjeçare nga sëmundja e kancerit.

SHBA e kujton si politikanen që ndihmoi administratën e atëhershme amerikane të ravijëzonte një botë post-sovjetike, shqiptarët e kujtojnë si miken e tyre, dhe si një figurë instrumentale për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë.

Në vitin 1999 Albright mbështeti me forcë dhe këmbënguli për operacionin e NATO-s kundër Serbisë në konfliktin e Kosovës, edhe pa mandat të OKB-së, për t’i dhënë fund masakrës ndaj shqiptarëve. Gjatë kësaj kohe ajo u takua edhe me ministrin e Jashtëm gjerman Joschka Fischer, i cili më vonë u bë mik i saj. “Të paktë janë liderët që përshtaten aq mirë sa ajo me kohën në të cilën kanë shërbyer”, thanë në një deklaratë të tyre Bill dhe Hillary Clinton.

Madeleine e dinte se vendimet e politikës amerikane kishin fuqinë të ndryshonin jetën e  njerëzve në mbarë botën, ajo e shihte punën e saj si një detyrim dhe si një mundësi“, theksuan ata më tej. Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshkroi  Albright “si një forcë të lirisë, ish-presidenti i SHBA Xhorxh W Bush tha se ajo e kuptoi që në fillim “ rëndësinë e shoqërive të lira për paqen në botën tonë”, ndërsa sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, shkroi në Twitter se “sot më shumë se kurrë, bota duhet të qëndrojë pranë vlerave të Albright”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shkroi se “jeta e Madeleine Albright ishte personifikim i ëndrrës amerikane, ngritja nga refugjate në Sekretaren tonë të parë të Shtetit. Udhëheqja e saj e guximshme në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Përparimi i Kosovës është një nderim i vazhdueshëm për trashëgiminë e saj”, u shpreh ai.

Politike Madeleine Albright Parlamenti shqiptar