
Biletat e urbanëve qytetas dhe ndërqytetas do të jenë elektronike duke filluar nga viti 2023. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është marrë një vendim, i cili i hap rrugë futjes së biletës elektronike. Kjo do të thotë se në autobusë do të ketë sisteme të caktuar ku përmes formave dixhitale bëhet skanimi i “biletës” dhe eliminohen fatorinot.
“Biletat e transportit në shërbimin qytetas, rrethqytetas, ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve mund të jenë me çmim të parashtypur, në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, me mundësi gjenerimi në të njëjtën formë që mundësohet edhe në transportin ndërqytetës”, thuhet në vendim.
Sipas tij, do të ngrihet platforma elektronike e-Transport. Qeveria shprehet se platforma duhet të garantojë ciklin e plotë fiskal të gjenerimit të biletës, në integrim në kohë reale me platformën qendrore, ciklin e plotë të prerjes dhe gjenerimit të biletës, pagesën on-line nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit për pagesën elektronike, rezervimin e vendit të lirë në mjetin e udhëtimit.
Vendimi i plotë i qeverisë
“3. Biletat e transportit në shërbimin ndërqytetas rrugor të udhëtarëve mund të jenë në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, ku të dyja formatet gjenerohen dhe ekzekutohen nëpërmjet platformës elektronike të dedikuar. Biletat e transportit në shërbimin qytetas, rrethqytetas, ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve mund të jenë me çmim të parashtypur, në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, me mundësi gjenerimi në të njëjtën formë që mundësohet edhe në transportin ndërqytetas. Biletat e transportit të udhëtarëve përmbajnë, në çdo rast:
ç) emrin e operatorit të transportit;
ë) vulën elektronike.”.
Pika 4, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Modeli i biletave të transportit për shërbimin qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas dhe në transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve, si për biletat në format letër me çmim të parashtypur, edhe për biletat elektronike me mundësi gjenerimi në të njëjtën formë që gjenerohet edhe në transportin ndërqytetas, është sipas standardit të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.”.
Në pikën 7, të kreut I, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për shërbimin ndërqytetas të transportit rrugor të udhëtarëve, rregullat e posaçme, kriteret dhe procedurat për rimbursimin e shoqërive të transportit rrugor ndërqytetas për personat që përfitojnë lehtësi, sipas akteve ligjore dhe nënligjore të veçanta, caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrave përgjegjës për financat, për transportin rrugor, për mbrojtjen sociale dhe për arsimin.”.
Titulli i kreut II ndryshohet dhe bëhet “Biletat në format letër dhe me çmim të parashtypur”.
Në pikën 2, të kreut II, në fjalinë e parë hiqet fjala “ndërqytetas”. Gjithashtu, pas fjalisë së parë të kësaj pike, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Gjithashtu, tërheqja e biletave për transportin rrugor, qytetas dhe rrethqytetas të udhëtarëve mund të realizohet edhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.”.
Në kreun II, pas pikës 4 shtohen pikat 5, 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:
“5. Në transportin ndërqytetas, prerja e biletave të bëhet nëpërmjet përdorimit të sistemit e-Transport, nga agjencia e transportit ose nëpërmjet pajisjeve të transaksionit elektronik të biletimit, të instaluara në mjete të transportit rrugor, të integruara me sistemin e-Transport, të cilat plotësojnë kërkesat e ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar. Pajisja për printimin e biletave duhet të jetë e integruar me sistemin elektronik e-Transport dhe të garantojë ciklin e plotë fiskal të biletës.
Platforma elektronike e-Transport, mbështetur nga pajisjet e transaksionit elektronik të biletimit në format letër, duhet të garantojë ciklin e plotë fiskal të gjenerimit të biletës, në integrim në kohë reale me platformën qendrore, ciklin e plotë të prerjes dhe gjenerimit të biletës, pagesën on-line nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit për pagesën elektronike, rezervimin e vendit të lirë në mjetin e udhëtimit.”.
Në pikën 2, të kreut III, fjalët “… ministria përgjegjëse për transportin …” zëvendësohen me “… autoriteti kompetent i licencimit …”.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2023.