Aktualitet23 Shtator 2022, 14:24

Vendimi i qeverisë për mbylljen e kolegjit turk, reagon drejtori: Morëm vërejtje për tabelat në 4 klasa!

Shkruar nga Pamfleti

Drejtori i kolegjit turk ‘Mehmet Akif’, Mustafa Ertenik një deklaratë për mediat tha se vendimin e kanë mësuar nga mediat dhe rrjetet sociale, pasi zyrtarisht ende nuk u ka ardhur asnjë lloj dokumenti apo njoftimi.

Ai i shpreh se kolegji turk ka zbatuar çdo udhëzim të Ministrisë së Arsimit, ndërsa sqaroi edhe vërejtjet që kishin mbërritur në kolegj nga ministria pas zhvendosjes në ambientet e reja.

“Sapo jemi zhvendosur në këtë ndërtesë të re. Sipas një relacioni të mëparshëm, na është thënë se kjo godinë nuk është e përshtatshme për kushtet e studimit. Vërejtja është bërë për 4 klasa, për vendosjen e tabelave dhe pozicionin e dritës, që e kemi rregulluar menjëherë të nesërmen. Ky qenka një problem shumë  serioz për shkollimin sa të çojë në mbylljen e një institucioni? Ne përdorim teknologji, si tabela smart që s’kanë të bëjnë me dritën natyrale”, tha drejtori i kolegjit.

Qeveria vendosi një ditë më parë mbylljen e kolegjit turk në Tiranë “Mehmet Akif Ersoy”. Ky institucion funksiononte në Shqipëri që nga viti 1996 dhe është ndër të parat shkolla të mesme private të hapura në vend pas viteve 90’.

Vendimi i qeverisë ngarkon kolegjin që të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve. Gjithashtu në vendim, kolegjit i kërkohet që të kthejë pagesat e kryera nga prindërit për pjesën e papërfunduar të shkollimit.

Aktualitet #Mbyllja e kolegjit turk