Ekonomi 6 Gusht 2022, 10:54

Verë “e acartë” për energjinë

Shkruar nga Pamfleti
Verë “e acartë” për energjinë

Në fund të korrikut, importet e energjisë regjistruan vlerë mbi 235 milionë euro, duke përfshirë këtu shtatë muaj blerje në tregun e lirë.

Kjo shifër është 35 herë më e lartë sesa shpenzimet e bëra për të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke treguar qartësisht mënyrën dramatike me të cilën kanë ndryshuar çmimet në bursat e huaja, por edhe sasinë e lartë të importit, që është dashur të bëhet, për shkak të një viti jo të mirë hidrik.

Në pjesën e parë të vitit të shkuar, prodhimi në kaskadën e Drinit ishte në nivele të larta, çka bëri që të kishte edhe eksporte (diçka që u kritikua në muajt në vijim dhe ngiti pikëpyetje mbi mënyrën sesi u menaxhua rezerva hidrike dhe e ekspozoi atë ndaj blerjeve të shumta në pjesën e dytë të vitit).

Shqipëria është kryesisht një vend importues i energjisë, thuajse çdo vit, për shkak të varësisë së lartë nga burimet hidrike.

Nuk mungojnë as ato vite kur është eksportues neto, por mungesa e diversifikimit e bën atë jashtëzakonisht të varur nga reshjet. Në vite që cilësohen si jo të mirë, importet janë normalitet, madje edhe në sasi të konsiderueshme, por kur çmimet janë të ulëta, ky shpenzim kalon pa shqetësuar kompanitë publike.

Kur kriza ende nuk kishte nisur, 1 MWh energji edhe në sezonin e verës mund të sigurohej me 40-70 euro MWh, ndërsa sot një megavat kushton 7-10 herë më shtrenjtë.

Për shembull, në korrik të vitit 2020, çmimi mesatar i ponderuar për blerjet në treg të lirë ishte 40.9 euro MWh.

Në vitin 2021, po në korrik, kur kriza sapo kishte nisur të jepte sinjalet e para paralajmëruese, çmimi mesatar i ponderuar për një megavat/orë energji arriti 107 euro. Këtë korrik, në Bursën Hungareze që merret si referencë në vendin tonë, çmimi për 1 MWh energji ka kapur vlera stratosferike edhe në 733 euro/MWH në momente të caktuara, apo fasha orare pik.

Vera e nxehtë e këtij viti duket se ka sjellë acar në financat e kompanive publike të energjisë dhe parashikimet për muajt në vijim nuk janë aspak optimiste.

Kjo lidhet me krizën e përgjithshme të energjisë, që është kthyer në shqetësim global dhe çmimet e “kripura” po japin efekte ngadalësimi në ekonomi.

Shqipëria mbetet edhe në këtë rast, me sytë nga “qielli”, duke shpresuar që vjeshta të sjellë një situatë ndryshe, ndërkohë që deri atëherë, furnizimi do të jetë sfidë mes prodhimit nga burimet e kufizuara hidrike dhe blerjeve në tregun e lirë, ku çmimet nuk po njohin tavan.

Çmimi në bursa arrin deri në 733 euro/MWh, KESH rrit prodhimin nga kaskada

Korporata Elektoenergjetike Shqiptare kishte planifikuar që të ruante një raport 55% prodhim nga kaskada dhe 45% blerje nga tregu gjatë këtij sezoni veror.

Sigurisht ky ishte një plan fillestar që mund të ndryshonte në varësi të kushteve në tregje, çka nënkupton se nëse çmimet në bursa do të uleshin në nivele të pranueshme, blerjet mund të përqendroheshin edhe më shumë në këtë kanal, duke ruajtur rezervën energjetike.

Në fund të prillit dhe thuajse gjatë majit, çmimet në bursa u duk sikur po shkonin drejt stabilizimit. Sigurisht ky normalitet është krejt ndryshe në kontekstin e luftës Rusi-Ukrainë dhe problemit më të hershëm të kërkesës post-pandemi, krahasuar me normalitetin e dikurshëm.

Çmimet në bursa po qëndronin mes 200-300 euro MWh mesatarisht, por në raste të veçanta edhe poshtë këtij niveli. Duke nisur nga fundi i qershorit e deri në fund të korrikut, çmimet mesatare në Bursën Hungareze kaluan me shpejtësi në fashën 300-400 euro/MWH dhe në 10 ditët e fundit të korrikut, niveli qëndroi kryesisht mbi 500 euro/MWh.

Kjo rritje u nxit sidomos nga kërcënimi i Rusisë për ndërprerjen e gazit në Europë, ndërkohë që vendet e Bashkimit Europian folën për një plan gradual të uljes së konsumit të gazit nga 1 gushti 2022.

Situata me çmime të larta ka detyruar edhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që të ndryshojë qasje edhe në raportin e prodhimit dhe blerjes në tregun e parregulluar.

Përfaqësues të KESH thanë për “Monitor” se raporti i këtyre dy treguesve ndryshon nga dita në ditë, në varësi të situatës, por çmimet e larta kanë bërë që në ditë të caktuara, prodhimi nga kaskada e Drinit të mbulojë mbi 70% të kërkesës së Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

Pritshmëritë janë që edhe muaji gusht të ketë çmime të larta të energjisë, për shkak të burimeve të kufizuara hidrike në prodhim, termocentraleve në riparim, por edhe planit të shumëpërfolur të uljes së konsumit të gazit.

“Në lidhje me sasinë e energjisë elektrike që prodhohet nga fotovoltaikët informojmë se për periudhën janar – qershor 2022, energjia e prodhuar prej tyre përbën 1,82% të prodhimit nga prodhuesit e burimeve të rinovueshme të energjisë, që korrespondon me sasinë 22,618 MWh” konfirmuan përfaqësues të OSHEE.

HEC-et e vegjël, OSHEE bleu mbi 85 milionë euro energji deri në qershor

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nga janari deri në qershor, ka blerë nga prodhuesit me përparësi të energjisë mbi 1.2 milionë MWh energji për vitin 2022.

Kjo sasi është e barabartë me konsumin që ka i gjithë vendi për rreth dy muaj të plotë (nëse ky konsum llogaritet aktualisht 20 mijë-21 mijë MWh, pa përfshirë këtu të liberalizuarit).

OSHEE, jashtë kontekstit të emergjencës në furnizim që është aktualisht në fuqi, ka detyrimin e blerjes së energjisë nga hidrocentralet e vegjël, me kapacitet të instaluar deri në 15 MW.

Ky çmim për vitin 2022, sipas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë, që u mor në fund të vitit të shkuar, është 8.5652 duke llogaritur një vlerë prej 85 milionë eurosh në total për këtë grup nga OSHEE.

Formula mbi të cilën është vendosur çmimi që u paguhet prodhuesve me përparësi është miratuar me vendim qeverie, i cili në vitin 2020 uli bonusin e promovimit të burimeve të ronovueshme.

“Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kwh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.20 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit” thuhet në formulën aktuale të energjisë.

Me një vendim të veçantë të marrë në fund të qershorit nga qeveria, marrëdhënia e OSHEE me HEC-et private ka ndryshuar dhe në vazhdim, këtë marrëdhënie do ta ketë KESH. Kjo do të thotë që prodhimi i HEC-eve të vegjël që OSHEE e blinte për të mbuluar humbjet do të depozitohet në KESH dhe ky i fundit do të sigurojë energjinë e nevojshme për humbjet.

“Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr.456, datë 29.06.2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”, konkretisht nenit 5, pika 7 dhe nenit 12, pika 4, është shoqëria publike e prodhimit (KESH) e ngarkuar për trajtimin dhe menaxhimin e tepricave të prodhimit, për qëllim të mbulimit të humbjeve të OSSH SH.A.

Tepricat nga prodhimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, depozitohen në shoqërinë publike të prodhimit, për t’u përdorur për nevoja të furnizimit dhe shkëmbehen gjatë vitit për mbulimin e humbjeve të OSSH SH.A”, – thanë përfaqësues të OSHEE për “Monitor”.

Prodhimi nga dielli modest, OSHEE bleu 22 mijë MWh, ERE rishikon çmimin

Një tjetër marrëdhënie që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka në treg është ajo me prodhuesit e energjisë nga dielli, ku bëjnë pjesë impiante me kapacitet të instaluar deri në 2 MW.

Qeveria, përmes politikave mbështetëse, miraton këto impiante jo si koncesione tipike, por me firmë ministri dhe energjia që prodhohet prej tyre blihet nga kompania e shpërndarjes, kundrejt një çmimi që miratohet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë.

Ky çmim si fillim ishte 100 euro/MWh, kur ende nuk kishte nisur instalimi, me kalimin e viteve u ul në 72 euro/MWh.

Aktualisht të licencuar për prodhimin e energjisë elektrike nga fotovoltaikët janë gjithsej 20 subjekte, ku 17 prej tyre kanë impiante me kapacitet të instaluar deri në 2 MW. Pikërisht me këto subjekte e ka marrëdhënien OSHEE, e cila ka blerë nga kjo kategori pak më shumë se 22 mijë MWH.

“Në lidhje me sasinë e energjisë elektrike që prodhohet nga fotovoltaikët informojmë se për periudhën janar – qershor 2022, energjia e prodhuar prej tyre përbën 1,82% të prodhimit nga prodhuesit e burimeve të rinovueshme të energjisë, që korrespondon me sasinë 22,618 MWh” konfirmuan përfaqësues të OSHEE.

Nëse e llogarisim këtë sasi energjie me çmim 72 euro/MWh, atëherë shuma që OSHEE ka paguar për të blerë këtë sasi energjie është mbi 1.6 milionë euro.

Por në qershor, Enti Rregullator i Energjisë miratoi një çmim të ri për impiantet fotovoltaike deri në 2 MW për vitin 2022, i cili është dukshëm më i lartë se ai i vitit paraardhës.

Ky çmim merr parasysh kostot dhe pikërisht rritja e tyre duket se ka luajtur edhe rolin kryesor në këtë ndryshim. Enti njoftoi se çmimi i ri është 97.21 Euro/MWh.

ERE sqaron se çmimi i blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli me fuqi të instaluar deri 2 MW, është çmim mesatar dhe si i tillë, në vijim dhe të praktikave të viteve të mëparshme, të gjithë komponentët përllogaritës të këtij çmimi janë të mesatarizuar.

“Për llogaritjen e LCOE janë marrë në konsideratë të dhëna mbi komponentët përbërës të nevojshëm, nga burimet si më poshtë vijon:

Planet e biznesit të shoqërive mbajtëse të miratimit përfundimtar, siç përcjellë nga MIE (Kosto e investimit, shpenzimet operative, degradimi vjetor i prodhimit, jetëgjatësia e inverterit);

-VKM nr. 580, datë 28.08.2019 “Për miratimin e planit të konsoliduar kombëtar të veprimit për burimet e rinovueshme të energjisë, 2019–2020”, i ndryshuar (kosto mesatare e ponderuar e kapitalit, periudha e mbështetjes dhe orët mesatare të punës);

-Studimi i IEA (International Energy Agency – Renewables 2021 Analysis and forecast to 2026);

-Studimi i MDPI – Një rishikim i degradimit të moduleve fotovoltaike për jetëgjatësinë (A Review of the Degradation of Photovoltaic Modules for Life Expectancy)” vlerëson Enti. /Monitor

Ekonomi energjia kriye