Aktualitet10 Dhjetor 2022, 09:22

Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi, të tjera shpërthime gjatë natës; DASH dënon sulmet

Shkruar nga Pamfleti
Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi, të tjera shpërthime

Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi, të tjera shpërthime gjatë natës; DASH dënon sulmet

Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi, ndërsa të tjera shpërthime janë dëgjuar gjatë natës në Mitrovicë. Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se shpërthimi ka ndodhur pas orës 23:00 të mbrëmjes, në lagjen Tri Rrokaqiejt, ndërsa nuk ka dëme apo persona të lënduar.

Incidentet vijojnë të përsëriten me afrimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në Veri të Kosovës, pavarësisht shtimit të forcave të rendit nga pala kosovare. Një shpërthim me mjete piroteknike u dëgjua më herët rreth orës 21:45 në zonën e njohur si “Tre Soliterat”, pranë shkallëve të Shkollës së Mjekësisë, duke shqetësuar qytetarët e Mitrovicës. Një efektiv policie ka mbetur i plagosur nga sulmet, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq, mediat kosovare raportuan 3 ditë më parë për 6 shpërthime në Veri të Kosovës që dyshohet se u shkaktuan nga agresorët serbë. Po ashtu, gjatë javës grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve, ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.

Tensionimi i situatës është komentuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Përmes një reagimi për Zërin e Amerikës, një zëdhënës i DASH ka dënuar sulmet, duke përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’u ulur në dialog.

“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet”, tha zëdhënësi i DASH.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar prezencën në veri ka për qëllim sigurimin e qytetarëve. Mirëpo, lëvizja nuk është pritur mirë nga pala serbe. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë çka u kundërshtua ashpër nga Presidentja e Kosovës. Osmani bëri të qartë se nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë serbë në Kosovë.

Tensionet në rritje kanë vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve më 18 dhjetor, teksa autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, gjë që është kërkuar edhe nga diplomatët perëndimorë. Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Procesi zgjedhor po bojkotohet nga “Lista Serbe” që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.

Kryesore DASH Kosove