
Vershtapen nuk njeh mëshirë në Imola, garë për t’u harruar për Ferrarin, Lëklerk zhgënjen pas një gabimi fatal në xhirot e fundit
Maks Vershtapen ia ka dalë mbanë të triumfojë në Çmimin e Madh të Imolas, me holandezin që nuk e lëshoi vendin e parë për asnjë moment gjatë garës, duke e dominuar atë nga fillimi në fund.
Kampioni i botës në fuqi dhuroi spektakël që në fillimin e kësaj gare, me ndihmën e shokut të tij Serxhio Perez, që e mbajti vendin e dytë të paprekur, duke mos lejuar asnjë kërcënim ndaj holandezit.
Ai që zhgënjeu më shumë në këtë garë ishte Lëklerk, i cili humbi vendin e tretë, pas një gabimi amatoresk në xhirot e fundit, duke e mbyllur në vendin e 6.
Ferrari gjithashtu vajton dhe daljen nga pista, që në xhiro të parë të Karlos Sainz, i cili doli pa pikë në këtë garë.
Mercedezi duhet të gëzohet me vendin e 4 të Xhorxh Rasëll, ndërsa Hemilton del pa pikë, duke u renditur vetëm në vendin e 14.
Podiumin në këtë garë e plotësoi MekLaren me Lando Norris, i cili përfitoi në maksimum nga gabimi i pilotit nga Monako.