Autoritetet shëndetësore në Rusi kanë vendosur të kthejnë Pallatin e Sporteve, në një spital ku mund të trajtohen pacientët e infektuar me COVID-19.
Pallati i Akullit, Krylatskoe, i cili përdoret për mbajtjen e kompeticioneve ndërkombëtare të patinazhit, po trajton aktualisht 600 persona të cilët kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Krylatskoe është pajisur me 1300 shtretër spitalorë së bashku me bombula oksigjeni. Në arenën e akullit po punojnë më shumë se 100 mjekë dhe infermierë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 60 deri në 80 pacientë pranohen dhe lirohen gjatë ditës.
Rusia ende nuk ka vendosur masa kufizuese ekstreme për banorët e vendit dhe nuk pritet që të ketë një bllokim tjetër.
Shteti rus regjistroi një rekord rastesh të reja me 22,778 persona të infektuar ditën e sotme. Prej fillimit të pandemisë janë raportuar 1.95 milion raste pozitive me koronavirus në Rusi, ku dhe kanë humbur jetën 33,489 persona.
Rusia është vendi i pestë në botë për numrin e infektimeve.