Aktualitet 4 Qershor 2018, 20:20

Vesi për të poshtëruar publikisht gazetarët

Shkruar nga Pamfleti
Vesi për të poshtëruar publikisht gazetarët

Vesi për të poshtëruar publikisht gazetarët

Nga Mero Baze

Kur një gazetar shkon të dëshmojë në një Komision Parlamentar, është një ngjarje që zakonisht në botë ndodh rrallë dhe lidhet me punën e tyre.

Ndodh kur gazetari ka zbuluar ndonjë gjëmë të madhe, për të cilën Parlamenti i rezervon të drejtën të sqarohet para publikut.

Vetëm Parlamenti i Shqipërisë e ka deformuar këtë ngjarje madhore dhe e ka kthyer në poshtërim.

Për të dytën here, Parlamenti i Shqipërisë thërret gazetarë për të dëshmuar jo si gazetarë, por si terroristë.

Herën e parë ka ndodhur më 21 janar 2011, kur Sali Berisha kërkoi që katër gazetarë, përfshi dhe unë, të dilnim para një Komisioni Parlamentar të posaçëm si terroristë, që donim të përmbysnim “pushtetin popullor” të Sali Berishës.

E dyta ndodhi sot, kur po Sali Berisha kërkon ta keqpërdorë një viktimë të dhunës në protestë, si gazetar, pa pikë mëshire, biles duke bërë dhe sakrificë t’i gjejë dhe ankerplast të bardhë si izolues dritash elektrike, për t’ia vënë tek vendi i gërvishtjes, ndërkohë që normalët janë bezhë në çdo farmaci.

Atëhere unë e mora me humor, edhe pse situata ishte dramatike, pasi ishin katër të vrarë mes nesh.

Vendosëm bashkë me kolegët të shkonim në Komision Parlamentar dhe të pranonim që duam të përmbyset pushteti i Sali Berishës.

 Biles isha dakord të dorëzonim dhe tabulatet telefonike, duke modifikuar ndonjë thirrje sikur kishim folur dhe me Sali Berishën dhe familjarët e tij, që ta çonim humorin e zi deri në fund.

Një regjim që kishte vrarë njerëz për të mbajtur pushtetin, që kishte qëlluar para kolegut tonë gazetar Fatos Mahmutaj, duke i shpuar dorën tejpërtej, 2 cm larg kokës, dhe e kishte kërcënuar bashke me Sandër Frangajn të mbyllte gojën, një regjim  që kishte vrarë mbi tavolinën e gazetarëve Hekuran Dedajn, donte tani të lante gjakun nga duart, duke shpallur terroristë katër gazetarë, dy prej të cilëve ishin në katin e katërt të ndërtesës përballë, me dhjetëra reporterë të tjerë, dhe dy të tjerë në punë të tyre, por jo tek turma e policëve.

Sali Berishës i duhej viktimizmi i gazetarëve për të justifikuar vrasjet.

I duhej t’i mbushte mendjen vetes, të vetëve dhe pasaj botës, se ai qe i rrethuar nga vrasës, gazetarë puçistë, institucione puçiste, president puçist, kryeprokurore puçiste, shef sigurie puçist etj.

I njëjti njeri sot, pasi dështoi në protestën e 26 majit, ka marrë një prej viktimave, atë që akoma nuk dihet cili prej gurëve të protestuesve e zuri në kokë dhe cilin polic qëlloi vetë, për ta paraqitur si viktimë të dhunës mbi gazetarët, duke fyer me këtë rast çdo gazetar normal në këtë vend.

Në fakt, asnjë gazetar që raportoi nuk u dhunua. Dhuna preku vetëm 36 policë dhe këtë viktimën e Sali Berishës që kishte çuar sot në Kuvend.

Në dy kohë të ndryshme, i njëjti njeri, sa herë bën dhunë, sa herë udhëheq dhunën, dhe sa herë do të vendosë dhunën si mjet për marrje, ose ruajtje pushteti, tenton të viktimizojë gazetarët.

Herën e pare, pasi vrau në bulevard si kafshë parahistorike, e zuri gjaku dhe i donte të gjithë në burg.

Vetëm kur përgjoi telefonatat tona dhe kuptoi që do talleshim me gruan e tij, vajzën dhe djalin, sikur kishim folur gjithë ditën më 21 janar me ta, u pendua dhe na anuloi seancën në Kuvend.

Sot kishte marrë një ditëzi ta shpallte po viktimë të dhunës së tij, dhe më shumë e dhunoi ai me të vetët në Kuvend, se sa policia në rrugë, duke u përballur me të si kriminel.

Fiksimi i këtij njeriu që sa herë bën krime, i shkon mendja tek gazetarët, tregon se ka një patologji të frikshme për dhunimin e tyre.

Biles është gati t’i nxjerrë dhe nga varri për t’i ripërdorur. Siç bëri sot.

 

 

Forum gazetarët Mero Baze Poshtërimi Sali Berisha Vesi