ONM-SHBA, duhet të kërkojnë nga komisioni special i Kuvendit, të hetohet me detaje “koburja” e Fatmir Xhafës, që me ndikimin dhe lidhjet e saj, po mban në Drejtësi ata që i shërbejnë mafies politike e asaj të trafiqeve dhe po largon ata që nuk janë në linjë me ta
Në afro 40% të vendimeve që ka dhënë KPK, është dhe firma e Etleda R. Çiftja (Kaja), si anëtare, relatore e kryesuese seancash të “Veting”-ut, për gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar e të lënë brenda sistemit të drejtësisë; të cilëve u ka hetuar punën, aftësitë, pasurinë dhe integritetin.
Përveç faktit, se deri më 17 qershor 2017, kur Fatmir Xhafaj e katapultoi në KPK pa asnjë kusht të plotësuar ligjor, së pari pa as 1 ditë punë në drejtësi por vetëm në biznese private me “dosje të zeza”; skandal është fakti, se kjo u bën “Veting”-un profesinal, kur nota e diplomës së saj për juridik është “5” (më poshtë nuk ka).
Kjo është “njolla” amorale dhe pazaret e interesave të pista, të bandës politike që e përzgjodhi Etleda Çiften, për ta përdorur si vegël, për të mbajtur në sistem klanin e tyre e për të larguar ata që u prishnin punë, duke u vënë vulën e “Veting”.
Edhe pse kanë kaluar 3 vite e gjysëm nga qëndrimi i saj në KPK, është detyrim ligjor, që anëtares së KPK, Etleda Çiftja, t’i hapen letrat e njohura e të fshehura të pasurisë, të lidhjeve familjare e personale me krimin; natyrisht jo si “vetingu konfidencial” që i bëri Fatmir Xhafaj para se ta emëronte.
Provat janë konkrete…
Ka disa dosje penale e policore, që faktojnë se Etleda Çiftja, është pjesë e bandës “Xhihani” të Kavajës; fillimisht me lidhje personale e më pas me lidhje familjare, mbasi Arjan Xhihanin, për të forcuar lidhjet e për të mbajtur interesat, ajo e bëri kunat (burri i motrës Ornela Kaja).
Nuk e dimë, pse është kaq e vështirë për shtetin shqiptar, të largojë nga komisioni i “Veting” e madje ta çojë para ligjit; këtë zyrtare me aktivitet kriminal në prona publike bregdetare; ndërtime pa leje, seksere në gjykata e prokurori për të mos ndëshkuar personat bashkëpunues krimesh, fshehje pasurie zullumesh në 16 vite punë; dhe përfituese nga aktiviteti i grupit mafioz familjar.
Në prokurorinë e Kavajës, të Durrësit e të krimeve të rënda, ka një dosje me 520 faqe, që bën fjalë për grabitje e falsifikim pronash në Kavajë-Durrës; nga kunati i saj Arjan Xhihani e vëllai i tij Zamir Xhihani; madje kjo skemë, ka vazhduar deri vonë me grupin e kryebashkiakut Roshi; ku familja dhe fisi “Kaja” i Etleda Çiftes e vetë kjo, kanë përlarë dhjetëra ha toka me falsifikim tapie në Golem e Spille Kavajë.
Nuk bëhet fjalë, se personazhe krimi janë komshijtë tek ish-banesa e para emërimit në KPK, apo ata tek suita e re te Kodra e Diellit të “AGI KONS” ndërtuar nga Genta e dosjeve; për të cilën, Etleda Çiftja nuk deklaron me çfarë burimesh financiare e ka blerë.
Por bëhet fjalë për ekzemplarë të botës së krimit, si Arjan Xhihani e Zamir Xhihani; i pari burri i motrës, ndërsa i dyti kunat i motrës, me dosje penale e ndëshkim si kontrabandistë, trafikantë kokaine e qeniesh njerëzore, me pasojë vdekjen e tyre në det.
Këto aktivitete i kanë maskuar pas logos së biznesit “XHIAR-2009” me objekt import-shitje pllaka, inerte, rërë, mermer, gurë etj;, në aksin nacional Kavajë-Rrogozhinë; ku kanë frikë të shkojnë policia e tatimet, apo siç thuhet, kanë porosi të mos i kontrollojnë.
Po me të njëjtin NIPT, kanë nyje betoni e një hotel me 5 kate në Golem, ku Etleda Çiftja (Kaja), ka pjesën e saj bashkë me motrën Ornela Xhihani (Kaja), pronare dominuese e pronësisë së hotelit.
Po prej bandës familjare “Xhihani”, anëtarja e KPK Etleda Çiftja, që largon gjyqtarë e prokururë për pasuri me burim kriminal; është shpërblyer me 3443 m2 tokë në Kavajë; dhe një apartament 70.8 m2 në Tiranë.
Kunati Arjan Xhihani dhe vëllai i tij, Zamir, nuk janë bërë kot “zemër mirë”, me këto pasuri në favor kunatës Etleda Çiftja, por si shkëmbim për disa “ndere” lehtësimi në gjykata e prokurori; dhe pazare të tjera në këto 30 muaj në KPK.
Anëtarja e KPK, e di shumë mirë se pasuritë e kunatit të saj “biznesmen”, kanë si burim dhe të ardhurat nga ngjarja e rëndë e trafikut detar të datës 17 nëntor 1997 në Vlorë, bërë prej Zamir Xhihanit, në një gomone me 28 klandestinë e 120 kg drogë, ku vetëm 11 persona mbetën gjallë.
Në vijim, fakte të tjera për trafiqet e “Xhihanëve”, për menaxhimin e pasurive të tyre nga Etleda Çiftja në dy biznese të huaja dhe “punët” që vazhdojnë të bëjnë aktulisht e publikisht, pa u prekur nga gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar e nuk kanë kaluar akoma Veting-un./Pamfleti