Komisioni i Vetingut fsheh dosjen e Gjin Gjonit dhe nuk e denoncon në SPAK për pasuritë e paligjshme, gjyqtari dha dorëheqjen për t’i shpëtuar ndëshkimit dhe sot vazhdon pazaret me Ministrinë e Finacave për aktivitetin Duty Free
Konfiskimi i pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, si dhe ndëshkimi i tyre penal, është një nga kushtet që Perëndimi i ka vendosur Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Ky kusht i panegociueshëm është vendosur nga Bundestagu gjerman një vit më parë, është reflektuar nga raportet e Brukselit si dhe është theksuar ditët e fundit ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Po cilët janë prokurorët dhe gjyqtarët që përfshihen në listën e SHBA-BE, ndëshkimi i të cilëve kushtëzon integrimin në BE? Janë të gjitha ata që janë shkarkuar nga organet e Vetingut për pasuri të paligjshme dhe lidhje me krimin, si dhe ata që ia kanë mbathur nga drejtësia nga frika e Vetingut.
Në këtë listë bën pjesë edhe Gjin Gjoni, një nga simbolet e korrupsionit të drejtësisë shqiptare, i cili ia mbathi nga drejtësia në korrik të këtij viti sapo iu ngushtua laku i Vetingut. Fillimisht Gjin Gjoni tha se po largohej sepse Vetingu ishte politik. Më pas tha se Partia Demokratike e kishte propozuar për deputet. Në fakt, e vërteta është se Gjin Gjoni ia mbathi që të mos i zbulohej dosja e pasurisë dhe e lidhjeve me krimin, të zbuluara gjatë hetimeve dyvjeçare ndaj tij.
Sipas burimeve, në komisionin e Vetinut kanë shkuar dy raporte negative për Gjin Gjonin. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka dërguar një raport, sipas të cilit Gjin Gjoni ka mashtruar dhe nuk e justifikon pasurinë e deklaruar.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dërguar një raport, sipas të cilit Gjin Gjoni ka lidhje me krimin.
Komisioni i Vetingut, në bashkëpunim me përfaqësues të SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit ka kryer gati dy vjet hetime, duke zbuluar edhe fakte të tjera kriminale rreth veprimtarisë së Gjin Gjonit. Ky i fundit jo vetëm nuk kishte asnjë shans për të kaluar Vetingun, por dosja e tij duhej të referohej me urgjencë në SPAK. Ky është edhe momenti që vesh me dyshime shumë të forta Komisionin e Vetingut.
Pas dorëheqjes së Gjin Gjonit, Komisioni i Vetingut u mjaftua vetëm me ndërprerjen e procesit për ish-gjyqtarin dhe përjashtimin e tij nga drejtësia për 15 vjet, duke mbyllur dosjen e tij. Ky ishte edhe qëllimi i Gjin Gjonit. Komisioni i Vetingut në mënyrë të dyshimtë nuk i ka referuar në organet e drejtësisë faktet që zbuluan gjatë hetimit të pasurisë të Gjin Gjonit dhe lidhjeve të tij me krimin. Ndryshe ka vepruar me Petrit Fushën, të cilin e denoncoi në prokurori. Nëse Petrit Fusha ka bërë një hotel 500 mijë euro me para të dyshimta, Gjin Gjoni deri në vitin 2014, sipas ILDKPKI, kishte mbi 2 milionë euro pasuri të paligjshme.
Krahas mungesës së kallëzimit, Komisioni i Vetingut ka marrë masa për të bunkerizuar çdo të dhënë rreth përmbajtjes së dosjes së Gjin Gjonit. Nga ana tjetër, ish-gjyqtari vijon pazaret me segmente të qeverisë, sidomos me Ministrinë e Financave, për të marrë licenca dhe për të zgjeruar aktivitetin Duty Free, të cilin e ka kamufluar në emrin e bashkëshortes së tij, Elona. Çaushi. Çifti, në bashkëpunim me disa gjyqtarë të korruptuar dhe ish-zëvendësministrin e Financave, Elton Haxhi, arriti të mbante dyqanet pa taksa në Rinas, duke përzënë nga Shqipëria kompaninë amerikane, International Cruise Duty Free (ICDF)./Pamfleti