Vetingu në polici duket se po rezulton një flluskë sapuni. Edhe pse në 2019 Ministria e Drejtësisë pas vetingut në drejtësi vendosi të fuste dhe vetingun në polici, ky i fundit ishte një dështim total, pasi nuk ka bërë as gjysmën e punës së kërkuar. Shpesh janë dhënë paralajmërime nga Kuvendi kundrejt Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit se puna e tij nuk po ecën në ritme të ngadalta sa i përket skanimit të trupave të Policisë së Shtetit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reflektim. Këtë të vërtetë të hidhur e tregojnë të dhënat e publikuara së fundmi nga vetë KJV. Sipas këtyre të dhënave, deri në 18 shkurt janë shqyrtuar vetëm 35 dosje nga të cilat 26 vendime janë dhënë për konfirmime në detyrë dhe vetëm 4 persona nuk kanë mundur të kalojnë vetingun dhe janë shkarkuar nga detyra.
Duhet të sqarojmë këtu se dy vendime kanë qenë në proces dhe janë zhvilluar dy ditë më parë, prandaj deri në ditën që flasim në total janë dhënë 37 vendime me 28 të konfirmuar në detyrë. Ndërsa theksohet se, 5 punonjës në radhët e Policisë së Shtetit kanë dhënë dorëheqjen para se të hynin në procesin e vetingut.
“18 shkurt 2021: 35 vendime të trupave të KJV në total; 26 konfirmime në detyrë; 4 përjashtime nga detyra; 5 zyrtarë janë dorëhequr nga detyra; 2 procese janë në gjykim në pritje të vendimit. KJV ka konfirmuar në detyrë z. Janaq Xhelili me funksion Drejtor i Drejtorisë së Mbështetjes Logjistike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (transferuar përkohësisht).Një ditë më parë, KJV konfirmoi në detyrë z. Ferdinand Mara me funksion Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë, Korçë”, tregojnë të dhënat e publikuara nga KJV. Sakaq, me numrin kaq të ulët të të shkarkuarve vërteton dyshimet që ka ngritur Komisioni i Sigurisë në lidhje me zbatimin e ligjit nga anëtarët e KJV në procesin filtrimit për policët.
Nënkomisioni i pakënaqur nga KJV
Për të rritur mbikëqyrjen në këtë proces është krijuar gjithashtu një nënkomision, i cili shpesh ka kritikuar KJV se po ecën në hapa shumë të ngadaltë. Por pavarësisht këtyre kritikave, ritmi i procesit nuk ka ndryshuar aspak, për këtë arsye anëtarët e nënkomisionit kanë evidentuar një sërë problematikash dhe nuk i kanë kursyer kritikat ndaj KJV. E para që shprehu pakënaqësinë e saj gjatë një mbledhje të nënkomisionit në janar ishte deputetja Antoneta Dhima, e cila pyeti anëtarët e KJV se kur kanë parashikuar të përfundojnë hetimet për të gjithë subjektet që përcakton ligji për vetingun në polici.
“Me ritmet të cilat po ecën komisioni, doja të dija se kur parashikohet të përfundojnë hetimet për 259 subjektet që parashikon objektivi i këtij ligji”, evidentoi Dhima. Ajo çka acaroi më shumë situatën ishte pikërisht përgjigjja e kryetares së KJV, Ana Kapaj, e cila tha se me disa subjekte që janë në proces shqyrtimi në fund të 2020 janë mbyllur hetimet për gati 32 subjekte, por ata nuk kanë ende një afat të përafërt se kur mund të përfundojë procesi. Sipas deputetëve, kjo është neglizhencë ndaj detyrës. Edhe për deputetin Sadi Vorpsi 10 subjekte të shqyrtuara për 5 muaj janë pak.
Bazuar në këto shifra qesharake të raportuara nga KJV, 5 deputetë të Kuvendit kanë depozituar një projektligj ku kërkojnë pezullimin e vetingut në radhët e Policisë së Shtetit. Përmes një projektligji të depozituar në vend deputetët kanë kërkuar që vetingu të pezullohet dhe më vonë mos kryhet më nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, por nga SHÇBA, e cila nga ana e saj pritet që të riformohet, duke u shndërruar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
“Qëllimi i këtij projektligji është të përmirësojë eficiencën e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik sipas parashkrimeve të Ligjit 12/20l8, duke pezulluar procesin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe duke e orientuar punën e Komisionit të Jashtëm të Veting-ut në përfundimin së pari të procesit të vlerësimit kalimtar për trupën vlerësuese të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Bazuar në raportimin e fundit të KJV, që kur ka filluar punën KJV deri në Dhjetor 2020 kanë përfunduar procesin e Vlerësimit kalimtar vetëm 32 subjekte”, thuhet në relacion. Sipas relacionit, puna e kryer deri më tani nga KJV jo vetëm që nuk ka qenë e mjaftueshme, por shpesh edhe e parregullt.