Partia Demokratike ka ndërmarrë një nismë për të dëgjuar zërin e qytetarëve mbi vettingun e politikanëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi ka publikuar një video ku ka marrë mendimin e qytetarëve të rastësishëm në rrugë nëse duan që të bëhet ky “filtrim” ose jo. Referuar përgjigjeve të qytetarëve që shfaqen në video, Bardhi shkruan se të gjithë e duan vetingun e politikanëve.
“Qytetarët duan një politikë të pastër. Qytetarët duan vettingun e politikanëve”, shkruan Bardhi.
Mesazhet e qytetarëve vijnë një ditë pas dorëzimit në Kuvend të draftit për vettingun e politikanëve. Në videon e publikuar nga Bardhi qytetarë shprehen për “po”, madje sipas tyre, vettingu duhet të nisë pikërisht nga politika “nga i pari te i fundit”.
Kujtojmë që Vetingu i politikanëve është nisma e re e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili kërkon pastrim të atij që e konsideron si “llumi i tranzicionit”. Madje, përfaqësues të PD-së ka dorëzuar tre amendamentet që synojnë ndryshimet në kushtetutë që përfshijnë një reformë të re zgjedhore dhe territoriale, si edhe vettingun e politikanëve.