
Vettingu në Polici, ngrihen komisionet që do të skanojnë efektivët. Mbyllet faza e dytë
Procesi vetingut në polici përmbylli fazën e dytë. Pas mbylljes së fazës së parë ku rreth 12 mijë efektivë dorëzuan formularët e vetingut, Ministria e Brendshme bëri me dije dje se është mbyllur dhe faza e dytë pasi ka filluar ngritja e komisioneve që do të merren me vlerësimin e efektivëve. Burime nga Ministria e Brendshme i thanë gazetës se javën e kaluar përfundoi përzgjedhja e anëtarëve të bordit të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit. Ky bord do të kalojë në sitë 300 efektivët e parë me gradë drejtuese.
Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme pas shpalljes së 5 vendeve vakante për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, aplikuan gjithsej 250 kandidatë. Ndërkohë, në fazën përfundimtare po ashtu është dhe përzgjedhja e 15 anëtarëve të Sekretariatit Teknik, të cilët do të merren me hartimin e listave të kandidatëve rendor.
Por me ngritjen e Komisionit të Jashtëm pritet që në fund të muajit të nisë dhe shqyrtimi i formularëve të 300 efektivëve të parë me gradë drejtuese. Kjo për faktin se Komisioni i Jashtëm me përzgjedhjen e anëtarëve ka përzgjedhur gjithashtu edhe kryesuesen e trupës. Sipas informacioneve, kryesuese e trupës së bordit drejtuese të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit është zgjedhur Aida Shehi, e cila është ngarkuar nga ana e Ministrisë së Brendshme që të nisë menjëherë të shqyrtoi dokumentacionin e çdo efektivi që do i nënshtrohet fazës së parë të skanimit.
Kjo për faktin se sipas ligjit të vetingut, pas përzgjedhjes së trupës së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, 300 drejtuesit e Policisë së Shtetit do i nënshtrohen të parët vetingut sa i përket verifikimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Dhe sipas përcaktimit të gradës madhore, i pari që do të dalë përpara Komisionit ë Vlerësimit do të jetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Më pas do të kalojnë në sitën e vetingut 2 zv/drejtorët e policisë dhe më pas drejtuesit e policive në qarqe.
Ja fazat e tjera të vetingut
Pas kontrollit të 300 efektivëve drejtues, vetingut në polici do të zbresë në gradat më të ulëta. Kështu sipas ligjit pasi të jenë skanuar 300 efektivët e para drejtues, në sitë do të kalojnë 2500 efektivë të tjerë, të cilët po ashtu disponojnë grada drejtuese. Në këtë fazë të kontrollit Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të përbehet nga 45 anëtarë. Ndërsa pasi të ketë përfunduar kontrolli për këta efektivë, procesit do i nënshtrohen 7500 efektivët e nivelit bazë, përfshirë këtu punonjësit e Gardës dhe ata të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.
Vetingu në polici pritet të zgjasë 2 vite dhe sipas Ministrisë së Brendshme synon largimin e oficerëve që nuk justifikojnë pasurinë apo që kanë lidhje me krimin. Vetë zv/ ministri i Brendshëm, Julian Hodaj deklaroi pak ditë më parë vetingu do të rikthejë dinjitetin në polici. “Ky nuk është proces që synon pastrimin, por vlerësimin e pjesës së shëndoshë të policisë. Komisionet e vlerësimit do të ndjekin procedurat e procesit që ka 6 hapa.
Merren të dhëna nga institucionet e specializuara. Merren të dhëna edhe nga publiku. Dhe mbi bazën e këtyre të dhënave fillon edhe një vlerësim. Vetingu vlen për t’i rikthyer dinjitetin policisë, që ndonjëherë nëpërkëmbet. Kush e meriton të largohet, për nepotizëm, apo abuzim me detyrën, do të largohet. Të gjithë do të jenë shumë të lumtur me përfundimin e këtij procesi”, deklaroi pak ditë më parë zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Julian Hodaj./SOT