Aktualitet 4 Maj 2018, 05:44

Vettingu pritet të shtojë dozën e goditjeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë abuzuar me detyrën, emrat e dosjeve

Shkruar nga Pamfleti
Vettingu pritet të shtojë dozën e goditjeve ndaj gjyqtarëve

Vetingu shumë shpejt pritet të shtojë dozën e goditjeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë abuzuar me detyrën. Momentalisht është mbyllur procesi i verifikimit për 57 emrat prioritare, ku janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe kandidatë për KLGJ, KLP dhe KED. Për të gjithë emrat janë kopsitur dosjet, pasi verifikimi ka përfunduar dhe tani kanë mbetur vetëm seancat dëgjimore. Mirëpo, teksa seancat dëgjimore do vijojnë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të nisë verifikimin e pasurisë, karrierës dhe pastërtisë së figurës për 72 emra të tjerë. Lajmi është bërë i ditur nga zv/ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

“Çdo reformë e sinqertë është e dhimbshme, por e domosdoshme, për t’i kthyer drejtësisë shqiptare themelin e munguar, besimin tuaj. Sot mund të themi se vetingu është shprehja më e qartë e bashkëqeverisjes. Sot kemi ngritur dhe u kemi besuar institucioneve të pavarura rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Sot që ne flasim 57 gjyqtarë dhe prokurorë janë në listën prioritare dhe pritet që në ditët në vijim ne të shohim dhe vendime të tjera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Por gjithashtu, 72 të tjerë, të cilët janë krerët e gjykatave dhe të prokurorëve në vend janë gati për t’u vetuar”, tha ai gjatë fjalës që mbajti në takimin e bashkëqeverisjes që u mbajt të mërkurën në mbrëmje në Tiranë nga qeveria. Por gazeta ka bërë një sërë kërkimesh dhe ka siguruar listën e plotë me 72 emrat, të cilët do të kalojnë në sitë në ditët në vijim.

Sipas burimeve nga Komision i Pavarur i Kualifikimit, emrat në fjalë janë miratuar dhe për disa ka nisur verifikimi, ndërsa për të tjerët do të fillojë. ILDKP dhe DSIK kanë mbyllur procesin e verifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, ndërsa shumë shpejt në prokurorët dhe gjykatat që ata drejtojnë do të hidhen shortet për të përzgjedhur 3 ose 5 çështje që ata kanë gjykuar apo hedhur dhe aty do shihet nëse e kanë zbatuar si duhet ligjin.

Emrat që do verifikohen

Sipas listës që ka siguruar gazeta “SOT”, vetingu do të vijojmë me të gjithë krerët e gjykatave dhe prokurorive të shkallëve të para apo apeleve në vend. Ndërkohë në këtë grup janë futur dhe anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme . Për disa prej tyre emrat dolën edhe pak kohë më parë, mirëpo tani do të nisë procesi i verifikimit. Nëse shihet me kujdes lista, ka dhe shumë emra, të cilët kanë hetuar dhe dosje të rëndësishme ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

Adnan Xholi është një prokuror që ka hetuar deputetin Tom Doshi. Arben Kraja është prokurori që dërgoi në gjykatë dosjen ndaj Lulzim Bashës për vjedhjen në rrugën Durrës-Kukës dhe po ashtu hetoi ministrin Damian Gjiknuri për aferën e CEZ. Edhe emrat e tjerë janë të njohur për dosjet e bujshme. Megjithatë, shumë shpejt ata do të duhet të përgjigjen përballë komisionit të vetingut nëse i kanë qëndruar korrekt detyrës apo jo.

Verifikimi

Procesi i vetingut në drejtësi shqiptare po zhvillohet në tre aspekte, në kontrollin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe në kontrollin e aftësive. Sipas burimeve, institucionet ndihmëse kanë mbyllur verifikimet për shumicën e emrave. Sa i takon pasurisë është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ai i cili ka verifikuar të gjitha deklarimet e njerëzve të drejtësisë. Po ashtu dhe DSIK ka mbyllur verifikimet për pastërtinë e figurës. Ndërsa sa i takon aftësive profesionale, janë KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme që grumbullojnë informacione dhe më pas është KPK që bën verifikime.

Aktualitet gjyqtarët prokurorët Vettingu