Sport23 Tetor 2019, 17:58

Video: Vllaznia fiton me vuajtje, Flamurtari në humnerë

Shkruar nga Pamfleti
Video: Vllaznia fiton me vuajtje, Flamurtari në humnerë

Vllaznia ka fituar me vuajtje ndaj Flamurtarit me rezultatin 1-3. Një transfertë e lehtë në letër për shkodranët, por që nuk rezultoi e tillë për djemtë e Mirsad Jonuzit që vuajtën, pavarësisht se ekipi kundërshtar luajti me 10 lojtarë një pjesë loje.

Kuqeblutë e nisën më mirë ndeshjen, pasi në minutën e 32′ gjetën avantazhin me Krujën. Ish-lojtari i Flamurtarit mori një top të mirë brenda zonës dhe me portën e boshatisur arriti të dërgonte topin në rrjetë për 0-1.

Sukaj ka rikthyer baraspeshën pak minuta më vonë pas një përgjumjeje të mbrojtjes shkodrane. Ribaj krosoi në zonë, Hoxhaj gjuajti me kokë dhe reagimi i Sherrit e çoi topin në këmbën e Sukajt. Shkodrani nuk e kishte të vështirë ta dërgonte në rrjetë për 1-1. Pjesa e parë u mbyll 1-1, por dalja me të kuqe e Deliajt në minutën e 44′ ndryshoi sfidën.

Vllaznia u fut me vrull në pjesën e dytë dhe gjeti dy gola. Krymi arriti të shënonte me një skemë në minutën e 72′, ndërsa Da Silva i vuri vulën në minutën e dytë shtesë për 1-3. Vllaznia mban vendin e dytë në kuotën e 15 pikëve, ndërsa Flamurtari në krizë totale me vetëm 3 pikë në 9 ndeshje.

Sport Flamurtari Vllaznia