Aktualitet30 Janar 2023, 11:54

Vijon operacioni “Fijet”, çmontohen 60 kamera sigurie të jashtëligjshme

Shkruar nga Pamfleti
Vijon operacioni “Fijet”, çmontohen 60 kamera sigurie të

Operacioni “Fijet” për heqjen e kamerave të sigurisë të jashtëligjshme ka nisur edhe në Tiranë. Pas shtrirjes në 7 qarqe të ndryshme në të gjithë vendin ku u çmontuan 185 kamera në total, janë hequr edhe 60 kamera sigurie në kryeqytet.

Prej disa ditësh, komisariatet e Tiranës të mbështetura edhe nga forcat “Shqiponja” kanë identifikuar zonat me përqendrim të lartë me kamera dhe kanë çmontuar disa prej tyre, ndërsa nga kjo e hëna operacioni po kryhet për çmontimin e plotë të tyre.

Në zonën e “Ali Demit” policia ka çmontuar 5 kamera në banesën e shtetasit E.K. i dënuar më parë për vrasje. 6 kamera janë çmontuar edhe në zonën pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë” në Ali Dem.

Te ish-Parku janë çmontuar 4 kamera, 10 në Laprakë, po ashtu edhe në Rrugën e Kavajës, Rruga e Elbasanit, 20 kamera tek zona e njohur si  Xhamlliku, po ashtu në zonën e 5 Majit, Fresku, Yzberisht, dhe Fushë Mëzez. Në total deri më tani janë çmontuar 60 kamera në kryeqytet.

Çmontimi i kamerave do vijojë në të gjithë zonat e kryeqytetit, ku secili komisariat do çmontojë kamerat e paligjshme në zonat që mbulojnë.

 

Aktualitet #operacioni “Fijet”