Aktualitet16 Tetor 2019, 16:20

Vilë 3-katëshe në Vlorë, korrupsion dhe lidhje me kriminelë, KPA dëgjoi konkluzionet në çështjen ndaj gjyqtarit Artur M

Shkruar nga Pamfleti
Vilë 3-katëshe në Vlorë, korrupsion dhe lidhje me

Vilë 3-katëshe në Vlorë, korrupsion dhe lidhje me kriminelë, KPA dëgjoi konkluzionet në çështjen ndaj gjyqtarit Artur Malaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të mërkurën parashtrimet përfundimtare të palëve në çështjen ndaj gjyqtarit Artur Malaj. Komisioneri publik kërkoi sërish shkarkimin e Malajt duke pretenduar ndër të tjera pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurive, mungesë burimesh të ligjshme dhe përpjekje për fshehje të pasurisë.

Ndërkohë Malaj nga ana e tij kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi atë në detyrë në gusht të vitit të kaluar. Malaj në fjalën e tij kundërshtoi në tërësi procesin duke pretenduar se KPA kishte tejkaluar ankimin dhe se ai nuk mund të procedohej nga ana dispilinore pasi ishte anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Çështja ndaj Malaj u apelua prej Komisionerit Publik me kërkesë edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, anëtarët e të cilit kundërshtuan vendimin e KPK duke e cilësuar atë “të pajustifikueshëm”.

Komisioneri në ankim ngriti sërish dyshime mbi burimin e ligjshëm të të ardhurave, kërkoi hetim të personave të tjerë të lidhur dhe investimeve të tyre në pasuri të paluajtshme dhe hetim të një vile tre katëshe në Vlorë e deklaruar nga Malaj si adresë, por që nuk ishte deklaruar si pasuri. Komisioneri dhe ONM pretendojnë se vila tre katëshe është pasuri e fshehur e Malajt.

Gjatë seancës për leximin e konkluzioneve Komisioneri u qëndroi të gjitha këtyre pikave. Ai tha në seancë se Analiza Financiare e bërë nga KPA kishte vërtetuar qëndrimet e Komisionerit. “Çmon se në analizën paraprake financiare të kryer nga Kolegji, janë analizuar të gjitha të dhënat e akteve të administruara, si dhe kjo analizë pasqyron në mënyrë të drejtë situatën financiare të subjektit të rivlerësimit dhe personit të lidhur me të, për vitet objekt kontrolli”, thuhet në konkluzione.

Sipas Komisionerit Malaj dhe bashkëshortja nuk kanë burime të ligjshme për pasurinë e krijuar në një shumë prej 1.7 milion lekë. “Nga rezultatet e analizës financiare paraprake, deri më datë 31.5.2005, rezultoi se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të kanë mungesë të të ardhurave të ligjshme në vlerën 1,760,953.02 lekë, për të mbuluar shpenzimet e kryera, përfshirë pagesën e këstit të parë të çmimit të apartamentit në vlerën 15.130 euro, si dhe kursimet e krijuara gjendje në llogari bankare, deri në datën 31.5.2005”, tha Komisioneri.

Malaj kundërshtoi në tërësi analizën. Ai pretendoi se ajo ishte kryer në shkelje proceduriale dhe në tejkalim të kërkesave të paraqitura në ankim. Malaj po ashtu kundërshtoi mosmarrjen parasysh të disa prej të ardhurave të tij dhe bashkëshortes në analizë dhe kërkoi që dietat të konsideroheshin burim i ligjshëm të ardhurash. Ai këmbënguli se vlera prej 15 mijë eurosh nuk ishte paguar.

Po ashtu Komisioneri këmbëngul në përfundime që të afërm të gjyqtarit, që nuk ishin konsideruar persona të lidhur nga KPK, të shihehsin si të tillë. Komisioneri pretendoi se këta persona kishin kryer investime në pasuri të paluajtshme në shuma të konsiderueshme, mbi 55 milion lekë, por nuk kishin burim të ardhurash për këto pasuri. “Nuk rezultoi që subjekti i rivlerësimit të ketë provuar me dokumentacion të ardhurat e realizuara në justifikim të investimeve të kryera”, thuhet në konkluzion.

Malaj kundërshtoi cilësimin e të afërmve të tij si persona të lidhur. Ai këmbënguli se nuk kishte transaksione financiare me këta të fundit (marrje dhe dhënie huaje e të ngjashme) dhe për këtë arsye ata nuk mund të konsideroheshin si “persona të tjerë të lidhur”.

Komisioneri Sina ndërkohë i qëndroi parashtrimeve sa i përket shtëpisë tre katëshe në Vlorë, të cilën e konsideroi pasuri të fshehur. “Indiciet e konstatuara i përkasin tri burimeve të ndryshme:

(i) informacionit nga organet ligjzbatuese1;

(ii) informacionit nga denoncimet e publikut2;

(iii) deklarimeve mbi adresën, të bëra ndër vite nga vetë subjekti”, thuhet në konkluzione.

Sina tha se Malaj nuk kishte provuar dot të kundërtën. “Komisioneri Publik vlerëson se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë e tij, duke mos arritur të provojë të kundërtën dhe, bazuar në nenin D/5 të aneksit të Kushtetutës, si dhe në vlerësimin tërësor të procedurave, mbi të duhet të zbatohet masa disiplinore e shkarkimit”, tha Komisioneri.

Malaj kundërshtoi edhe këtë pikë të ankimit duke pretenduar se bëhej fjalë vetëm për indicie. Ai këmbënguli të mos merreshin parasysh denoncimet duke aluduar se denoncuesit ishin persona të dënuar prej tij. Në fjalën e tij Malaj po ashtu akuzoi Komisonerin se kishte mbajtur qëndrime të ndryshme për raste të ndryshme.

Në fund Komisioneri i kërkoi KPA të merrte në shqyrtim edhe denocimet e ardhura dhe gjetjet e ONM-së sa i përket rastit të Malajt duke këmbëngulur se provat ishin të mjaftueshme për të çuar në shkarkimin e tij.

Malaj nga ana e vet pretendoi se ishte përballur me një fushatë denigrimi në portale pasi ishte kandidat për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ai tha se do të “priste me qetësi vendimin” duke pretenduar se pasuia e tij ishte e ligjshme. Vendimi për çështjen do të jepet më datë 24 tetor në orën 15.00./BIRN

Aktualitet Artur Malaj gjyqtari Kolegji i Posaçëm i Apelimit Komisioneri Publik