Editorial29 Tetor 2022, 10:13

Villi Brandi dhe Edi Rama: Ostpolitika gjermane dhe “Ballkani i hapur”

Shkruar nga Pamfleti
Villi Brandi dhe Edi Rama: Ostpolitika gjermane dhe “Ballkani i

Villi Brandi dhe Edi Rama: Ostpolitika gjermane dhe “Ballkani i hapur”

Disa paralele mes Ostpolitikës gjermane dhe “Ballkanit të hapur” që shpjegojnë pse strategjia e socialdemokratëve gjerman ishte në përputhje me interesat jetike të Gjermanisë, ndërkaq pse mungesa e një strategjie të Partisë Socialiste për ribashkim dhe nënshtrimi i saj ndaj Edi Ramës e futi Shqipërinë në ujërat e ndotura të “Ballkanit të hapur”…

Shkruan Dr Sadri Ramabaja

Disi ngjashëm me Gjermaninë që nga epoka e Villi Brandit, me theks nga epoka e ribashkimit të saj, është kultivuar konsensusi kombëtar, i mbështetur nga një pjesë e madhe e shoqërisë, që gjykonte se lidhjet e ngushta me Rusinë janë në përputhje me interesat jetike gjermane. Duket se edhe brenda një pjese të mirë të elitës politike shqiptare, që gjatë këtyre viteve të tranzicionit demokratik, natyrisht të mbështetur nga oligarkët tanë që janë lidhur shumëfish me oligarkët rus, veçmas pas vitit 2007, kur Putini hapur po paralajmronte idenë për rikthimin e Rusisë si superfuqi, po p;rgatitnin terrenin për largim nga paradigma e demokracisë europiane, që do të duhej t’na rikthente natyrshëm në gjirin e familjes politike per;ndimore, duke shfrytëzuar “Ballkanin e hapur” si një zonë të ndikimit rus.

Por 24 shkurti i 2022 e ka përmbysur edhe këtë skenar.

E vetkuptueshme, në këto rrethana të reja që ka imponuar impenjimi i Putinit në Ballkan, duket se koordinimi mes BE-së dhe SHBA-ve në raport me përmbylljen e procesit mes Kosovës dhe Serbisë është hedhur në ofensivë të plotë. Gjasat që ky proces të rezultojë me njojen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk na kanë njohur [katër prej të cilave janë edhe anëtarë të NATOs], të jetë hapi vendimtar për izolimin e Serbisë. Me këtë akt i hapet rrugë procesit të përshpejtuar të aderimit të Kosovës në NATO. Kështu Kosova hynë nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, duke i dhënë fund ëndrrës serbe për rikthim në Fushën e Dardanisë.

Tashmë është e qartë, afrimi me Serbinë dhe Rusinë nuk ka se si të cilësohet një hap strategjik për ruajtjen e paqes në Europë! Në fakt kjo lagje politikanësh shqiptarë që ishin kapur me kohë nga oligarkët e lidhur shumëfish me sivëllezërit e tyre rus e serb, nuk po arrinin dot të kuptonin se kushtet kornizë të këtyre marrëdhënieje me Serbinë dhe Rusinë kishin ndryshuar prej kohësh. 24 shkurti vetëm po rikthente në vëmendje edhe te aleatët tanë, disa prej tyre, si psh. gjermanët, se “bota para 24 shkurtit nuk ekziston më”.

Regjimi serb ndërkohë, duke u ndodhur mes Perëndimit dhe Lindjes, nën presionin e madh perëndimor për ripozicionim të qartë, po detyrohet të heq maskat.

Si shoqëri ne duhet të mësojmë nga këto oshilime të elitës politike në Tiranë dhe gabimet e saj në raport me Beogradin, duke nxjerrë përfundimet e duhura.
Politika e kryeministrit Edi Rama ka shumëçka të përbashkët me atë të Villi Brandit, sidomos në rrafshin e politikave të jashtme. Por nëse Willi Brandi që atbotë ishte Ministër i Jashtëm [1967], tek po negocionte doktrinën e NATO-s për kombinimin e afrimit dhe parandalimit përmes forcës ushtarake, Edi Rama ka marrë bashkëatorësinë e “Ballkanit të hapur” për të kombinuar afrimin me Serbinë me idenë e parandalimit të përplasjes së mundshme ushtarake, duke e cilësuar atë disi të ngjashëm me “Ostpolitikën” e Villit.
Natyrisht kjo paralele nuk qëndron. Arsyeja themelore pse nuk qëndron konstatimi i kryeministrit Rama se, gjoja ‘Ballkani i hapur” na përafron me BE-në, është ngase ai “tashmë po shndërrohet në zëvendësim për anëtarësim në BE. […] Open Balkan-i nuk e faktorizon Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë Veriore përmes anëtarësimit në BE, por i ekspozon ekonomitë e tyre ndaj një shteti më të industrializuar, Serbisë”[2], duke i shndërruar ato në neokoloni moderne të saj.

Prandaj konkluzioni se, nëse Ostpolitika e socialdemokratëve gjermane ishte në përputhje me interesat strategjike gjermane që do të çonin drejt ribashkimit të saj, duke i ndërlidhur këto politika përafruese me Rusinë edhe me hapa novator për kultivimin e paqes dhe sigurisë në Evropë dhe në fund zgjerimin e BE-së, ideja për “Ballkanin e hapur” është krejtësisht në shpërputhje me interesat jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe me sigurinë në Europën Juglindore dhe më gjerë në plan afatgjatë.

Villibrandi ynë në Tiranë duhet të ketë parasysh se raportet mes shqiptarëve dhe Serbisë kanë një histori të gjatë luftrash dhe përplasjesh, që nuk rrafshohen dot lehtë e shpejt. Po i sjell disa arsye temelore:

Së pari: Shqipëria dhe shqiptarët në raport me Serbinë i ndanë një histori e veçantë. Pala shqiptare nuk guxon të vihet në lajthitje dhe të ushqejë shpresat se kjo histori ka ndërgjegjësuar palën serbe për një angazhim të ri dhe korrektim të këtyre raporteve në dobi të ndërtimit të paqes dhe bashkëpunimit. Rama dhe oligarkët rreth tij, tok me atë shtresë të hollë politikanësh pa ego, nuk po arrijnë ta kuptojnë dot se Vuçiç nuk e sheh këtë histori shekullore ndërmjet dy kombeve tona në këtë mënyrë. Vuçiç duke u katapultuar në krye të pushtetit në Beograd pikërisht në kohën kur raportet gjermano-ruse po lulëzonin, filloi të manipulojë dhe instrumentalizojë historiografinë — që për objektiv kishte konsolidimin autokratik në vend dhe politikën e fuqive të mëdha të drejtuara nga interesat jashtë vendit. Duke vepruar kështu, kjo elitë që tashmë ndodhet në krye të pushtetit në Tiranë, ka përvetësuar një imazh të tjetërsuar të Serbisë që ishte formësuar nga e kaluara. E zhytur në llumin e korrupsionit dhe amoralitetit politik, duke gjykuar se Serbia tashmë nuk mund të ishte e rrezikshme për ne si komb, ndërkaq duke qenë si palë në “Ballkanin e hapur”, do të mund të realizonim interesat bashkarisht. Me këtë qëndrim kjo e ashtuquajtur elitë politike jona i lë hapësirë të lirë Serbisë për realizimin e interesave jetike serbe në Bosnjë e Mal të Zi, duke harruar tërësisht Sanxhakun e Tutinin.

Së dyti, pozicionimi politik për ndryshime pozitive nëpërmjet afrimit me Serbinë, qoftë edhe përmes aderimit në “Ballkanin e hapur”, duket të jetë paradigma përcaktuese e Tiranës zyrtare aktualisht. Në këtë rast, është e qartë, ne si komb nuk kemi reflektuar sa duhet e në mënyrë kritike mbi disa supozime bazë të politikës sonë ndaj Serbisë. Edhe pse Serbia deklarohet qartë në raport me Kosovën — ajo tutje nuk e pranon realitetin e krijuar nga qershori i vitit 1999. Madje ajo projekton rikthimin me armatë, me çmimin që të largohet gjithnjë e më shumë nga Perendimi. Pa përfillur realitetin e krijuar pas 24 shkurtit në Ukrainë, rrjedhimisht edhe raportet e saj Perendim-Lindje. Lidhjet gjithnjë e më të ngushta ekonomike nuk kanë kontribuar në një përafrim real. Ndryshimi përmes ndërveprimit ekonomik pa një axhendë politike me Serbinë, e qartë, nuk funksionon.

Së treti: Shqipëria dhe Kosova nuk guxojnë të futen në raporte varësie me Serbinë, me politikat tona në fushat jetike, si ajo e energjetikës, agrokultura etj. Eksperti amerikan Edward P. Joseph në një intervistë për DW, duke shprehur pikëpamjet e tij me nismën e “Open Balkan” konkludon se ajo “minon “Procesin e Berlinit” dhe i jep më shumë fuqi ekonomike dhe politike Serbisë.”[3] Ndërkaq nënvlerësimi i ambicieve nacionaliste të Serbisë të shprehura hapur për kthim në Kosovë, që ndërlidhet automatikisht me dimensionin e sigurisë, mund të jetë fatal për ne si komb.
Ky veprim duhet të stopohet urgjentisht.

Së katërti: Duke hyrë në aranzhmane për “Ballkanin e hapur” ne nuk kemi marrë mjaftueshëm parasysh interesat dhe perspektivat e fqinjëve tanë, sidomos ato të Malit të Zi dhe Bosnjës, por edhe interesat e partnerëve tanë perëndimor, para së gjithash ato gjermane, kroate etj. për rajonin.
Kjo mund t’na shpjerë në një humbje masive të besimit. Sidomos ndërkohë, kur politika serbe në këtë rrafsh mund të bëhet më agresive. Në këto rrethana ne duhet të koordinohemi më shumë me partnerët tanë real.

Me siguri do të ketë pika të tjera të gabuara që ndërkohë kemi bërë.
Është e rëndësishme që tashti t’i emërtojmë ato gabime dhe të nxjerrim mësimet e duhura prej tyre, gjithmonë duke pasur parasysh të ardhmen.

Së pesti: Është koha të ndërtojmë politika të qarta, në raport me interesat tona jetike përballë Serbisë, tani dhe këtu. Bëhet fjalë për mbështetjen e Kosovës në betejën e saj të përditshme për funksionalizimin e Shtetit dhe forcimin e pozitës së Republikës në dialogun që i është imponuar nga Bashkësia ndërkombëtare.

Deklarata se nuk duhet ushtruar presion ndaj Serbisë në raport me sanksionet ndaj Rusisë dhe insistimi për rishikimin e raporteve shqiptaro-serbe përmes “Ballkanit të hapur” që duhet t’i imponohet Procesit të Berlinit, është në shpërputhje të plotë me interesat tona kombëtare. Sot, detyrë mbi detyra është të ndërtohet strategjia jonë kombëtare e qartë në raport me Serbinë.
Serbia përmes përafrimit të theksuar me Rusinë, sidomos në lëmin e sigurisë (Baza Ushtarake Ruse në Nish…) është rrezik permanent parasëgjithash për ne.

Prandaj “Ballkani i hapur” mbetet në shpërputhje me interesat jetike shqiptare.

Pranimi i Shqipërisë politike në NATO [1 prill 2009], në këtë proces të rimëkëmbjes së kombit tonë të rikthimit në familjen perendimore, ishte një hap historik në kuadër të mendimit dhe veprimit konkret gjeopolitik. Ndërkaq integrimi në strukturat euroatlantike, e para së gjithash me procedura të përshpejtuara i Kosovës në NATO, mbetet objektivi qendror për sigurimin e prosperitetit dhe lirisë për dy republikat tona.

Por ne duhet të shkojmë më tej. Ne duhet të mendojmë dhe të veprojmë gjeopolitikisht./Pamfleti

Editorial #Ballkani i hapur #Ostpolitika gjermane #Villi Brandi Edi Rama