Aktualitet13 Dhjetor 2022, 11:19

Vis Martinaj i ha ‘kokën’ gjeneralëve të Rrumbullakut

Shkruar nga Pamfleti
Vis Martinaj i ha ‘kokën’ gjeneralëve të Rrumbullakut

Vis Martinaj i ha ‘kokën’ gjeneralëve të Rrumbullakut

Ikën kreu i Hetimit Tonin Vocaj

Kushdo e mban mend prezantimin që Edi Rama i bëri drejtorit aktual të policisë Met Rrumbullaku, pas largimit të dhunshëm të Gledis Nanos, që solli përplasjen me SHBA.

Kryeministri foli për rastin e Elvis Martinajt, duke i dhënë 100 ditë kohë drejtorit të ri për të zbardhur fatin e emrit të njohur që këtë verë ‘zotëroi’ median shqiptare pas lajmeve kontradiktore për fatin e tij.

Pasi përfundoi afati 100 ditor, duket se ka nisur edhe koha e marrjes së masave.

Gjasat janë që i pari që të ndëshkohet në ekipin e lartë të policisë, të jetë kreu i hetimit, Tonin Vocaj. Por gjithçka pritet të konkretizohet në një analizë që do të bëhet këto ditë në strukturat e Policisë së Shtetit, jo vetëm për afatin 100 ditor por edhe për mbylljen e vitit. E pritet që në ministrinë e Brendshme, të bëhet një analizë përfundimtare, ku sipas gjasave të jetë prezent edhe kryeministri Edi Rama, përveç ministrit të Brendshëm.

Në pjesën e parë të takimit, që do të jepet e hapur për mediat, pritet të përvijohet masa e fshesës.

Megjithatë, në analizën e mbyllur, gjërat do të thuhen edhe më fort, edhe më egër.

Ndërkaq, këto ditë, pritet që mediat kryesore të bëjnë të ashtuquajturat zbulime apo ngacmime për ta rihapur çështjen dhe hetimet që janë zhvilluar mbi zhdukjen e Martinajt.

E ka shumë gjasë që kjo zhurmë të bëhet për të mbyllur një lajm edhe më të bujshëm, siç mund të jetë një dosje VIP në SPAK për shembull.

Në këtë atmosfrë pritet të flasë edhe kryeministri Rama, që t’i kujtojë kreut të policisë afatin 100 ditor që i ka dhënë këtë verë. Afat që ka skaduar natyrisht me një zero të madhe me xhufkë.

Po kush do të vijë në krye të forcave të rendit, një i kohës së kolonelëve të Berishës, apo i ri, dilemma është e madhe.

Nga ana tjetër, bazuar në lëvizjen që bëri në krye të hetimit policor, nuk është çudi të kthehet edhe bëmëmadhi Ardi Veliu. Por nëse kjo ndodh, mund të jetë një boomerang i madh për Edi Ramën. E nuk është çudi të ndodhë, pasi kryeministrit, siç dihet i vyen më shumë zhurma se puna: I duhet një njeri pa asht kurrizi që ta kthejë në një kurban, siç ka bërë mjaft nga njerëzit e tij deri më tani…/Pamfleti

Kryesore “Pamfleti” #Vis Martini i ha ‘kokën’ gjeneralëve të Rrumbullakut tonin vocaj