Kosova13 Janar 2023, 15:53

Vizita e Chollet, Vuçiç: Zyrtarit të DASH i tregova “vijat e kuqe” lidhur me Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
Vizita e Chollet, Vuçiç: Zyrtarit të DASH i tregova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i tha këshilltarit të lartë të DASH-it, Derek Chollet, se për shtetin e tij çdo formë e njohjes formale apo joformale e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara paraqesin “vija të kuqe”.

Më 12 janar, këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, u takua në Beograd me Vuçiçin dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiç.

Vuçiç u tha gazetarëve se me diplomatin amerikan ka diskutuar për planin franko-gjerman për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne kemi treguar se cilat janë ‘vijat tona të kuqe’. Çdo formë e njohjes formale ose joformale e pavarësisë apo lejimi i anëtarësimit në OKB, ne nuk duam dhe nuk mund ta diskutojmë dhe kjo është pjesë integrale e atij plani”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se pjesa tjetër e planit franko-gjerman, që tani po njihet si plani i BE-së, mund të diskutohet.

Ky propozim synon normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë dhe ka mbështetjen edhe të SHBA-së.

Vuçiç shprehu mirënjohje ndaj administratës amerikane që po insiston në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje për Asociacionin, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. Kurti ka argumentuar se institucionet monoetnike bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Vuçiq tha “është e pamundur të arrihet përparim nëse dikush vazhdimisht i referohet akteve të veta ligjore”.

“Kur ju insistoni që diçka duhet të jetë në përputhje me, siç thonë, Kushtetutën e Kosovës, atëherë pse kemi negociuar, për çfarë kemi negociuar?”, pyeti presidenti serb.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se parimet për formimin e Asociacionit nuk janë plotësisht të harmonizuara me frymën e Kushtetutës, por tha se ato mund të harmonizohen. /REL

Prishtine Chollet Vucic