Në takimet e realizuar nga Këshilli i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me ministrat e Ballkanit Perëndimor, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka kërkuar që menjëherë të zhbllokohet procesi eurointegrues i vendit.
“Ministri Osmani kërkoi edhe një herë fillimin e menjëhershëm të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh ndikimin e agresionit rus në Ukrainë”, deklarojnë nga MPJ e RMV-së.
Nga atje sqaruan se procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ishte një nga temat kryesore të këtij takimi, duke përfshirë edhe ndikimin e luftës së Ukrainës në Ballkanin Perëndimor.
“Bashkimi Evropian duhet të bëjë lëvizjen e duhur në këtë moment dhe të ndërmarrë hapa vendimtarë për hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, pasi integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është me interes parësorë politik-sigurisë dhe gjeostrategjik për Unionin dhe të ardhmen e kontinentit evropian”, ka theksuar Osmani.