Dy të arrestuarit për vjedhjen e banesës së ish-zyrtares Alda Klosi, Rozeta dhe Havier Dobit, kanë paraqitur një kërkesë për një masë më të butë sigurie se ajo e mbylljes në qeli, e cila do të shqyrtohet këtë të mërkurë nga Gjykata e Apelit.
Seanca pritet të zhvillohet në orën 11:00, ditën e nesërme ndërsa me interes pritet edhe qëndrimi i prokurorisë. Edhe pse kanë kaluar disa javë që nga zbulimi i rastit, 404 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit gjatë kontrollit të dytë në banesën e pastrueses, kanë mbetur ende pa pronar.
Ndërkohë që 120 mijë eurot e tjera, bashkë me një sasi dollarësh dhe sendesh me vlerë që iu vodhën në banesë ish-zyrtares Klosi, po kalojnë në sitën e prokurorisë mbi burimin e krijimit të tyre.
Disa ditë më parë xhaxhai i Alda Klosit që jetonte në Amerikë, i cili sipas Klosit i kishte lënë shumën e parave për rregullimin e banesës, ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë. Ndërkohë nga ana tjetër, nuk dihet nëse hetimi i prokurorisë për 404 mijë eurot, ka avancuar për të zbuluar pronarët e tyre ku dyshohet se gjithashtu janë vjedhur nga sanitarja Rozeta Dobi.