
Inteligjenca britanike pretendon se Rusia ka nxjerrë në terren një makineri lufte të re, e njohur si “terminatori”.
Të quajtur “Terminatorë” nga prodhuesi i tyre, Uralvagonzavod, automjetet morën vëmendjen e mediave në fund të majit, kur u panë në Ukrainë. Fotografit dhe dy video amatore të publikuara së fundmi, thuhet se tregojnë për praninë e Terminatorëve rusë rreth qytetit lindor ukrainas të Severodonjeck.
Prania e këtyre automjeteve në Ukrainë u konfirmua më 18 maj përmes një raporti të agjencisë ruse të lajmeve, RIA Novosti. Terminatorët u krijuan si rezultat i përpjekjes së Rusisë për të zhvilluar automjete specifike për t’i përdorur për luftime në hapësira të ngushta urbane.
Nevoja e këtyre lloj automjetesh u bë urgjente pas luftës së parë çeçene, në të cilën një numër jashtëzakonisht i madh i automjeteve të blinduara ruse u shkatërruan nga luftëtarët çeçenë. Gjatë betejës më 1994-1995 për kryeqytetin çeçen, Grozni, luftëtarët lokalë ishin në gjendje që nga dritaret dhe dyert të sulmonin me armë të lira kundërtanke dhe të zhdukeshin në territorin që e njihnin mirë.
Fuqia e tankeve ruse u zhbë për shkak të paaftësisë së tyre për të qëlluar lart apo për të lëvizur grykën e topit aq ulët sa për të vrarë luftëtarët çeçenë, të cilët shpesh qëndronin në bodrume dhe prisnin që në rrugët pranë të kalonin automjetet e blinduara ruse dhe më pas kryenin sulme.
Terminatorët e Rusisë janë të dizajnuar për të luftuar në mjedise urbane së bashku me tanket, duke zëvendësuar këmbësorinë si mbështetje për tanket.
Terminatorët janë të armatosur edhe me auto-topa të dyfishtë (që gjenden në qendër të fotografisë së mësipërme) dhe secili prej tyre është i aftë që të gjuajë më shumë se 10 fishekë 30 milimetërsh në sekondë. Në këto pajisje po ashtu mund të vendosen edhe në armë të tjera, që do të thotë se gjuajtësi mund të gjuajë fishekë nga një tytë, pastaj të kalojë menjëherë tek tyta tjerët dhe të gjuajë fishekë të tjerë, ose mund të qëllojë nga të dyja në të njëjtën kohë. Këto automjete luftarake po ashtu mund të mbajnë raketa dhe mitraloz.