Sport22 Dhjetor 2022, 17:59

Vllaznia rikthehet te fitorja, shkodranët “shtypin” Teutën dhe e mbyllin vitin me ‘poker’

Shkruar nga Pamfleti
Vllaznia rikthehet te fitorja, shkodranët “shtypin” Teutën

Vllaznia rikthehet te fitorja, shkodranët “shtypin” Teutën dhe e mbyllin vitin me ‘poker’

Abissnet Superiore ka ulur siparin për vitin 2022, teksa ka mbyllur ditën e sotme ndeshjet e javës së 15 me sfidën e fundit, Vllaznia-Teuta, e cila u mbyll me rezultatin e thellë 4-0 për ekipin shkodran, duke i dhënë fund ecurisë negative.

Ekipi i Mirel Josës zhbllokoi ndeshjen në minutën e 20. Hakaj dërgoi topin në rrjetë, pasi Qirko grushtoi gjuajtjen e parë të Hoxhajt.

Në minutën e 36, arbitri akordoi penallti për shkodranët. Mala hyri në zonë nga e majta dhe Jazxhi ndërhyri nga mbrapa duke rrëzuar mesfushorin. Arbitri, Enea Jorgji nuk pati dyshime dhe bëri shenjë nga pika e bardhë. 1 minutë më vonë, Kaina u tregua i saktë dhe dyfishoi shifrat.

Në minutën e 72, Vllaznia realizoi golin e tretë me Hoxhajn. 4 minuta më vonë, Teuta mbeti me 10 lojtarë, pasi Kotobelli u ndëshkua me karton të kuq. Futbollisti i “Djemve të Detit” goditi Alivodën dhe gjyqtari kryesor i ndeshjes nuk hezitoi t’i tregonte menjëherë kartonin lojtarit.

Në minutën e fundit të ndeshjes, Kaina realizoi dopietën e tij personale në këtë ndeshje, këtë radhë pas një aksioni të gjatë të shkodranëve kur pas një gjuajtje të devijuar, ia doli të çonte topin në rrjetë.

Me këtë fitore, Vllaznia mban vendin e 5 me 22 pikë, po aq sa Erzeni, ndërsa Teuta renditet në vendin e 10 me 14 pikë.

Ndeshjet dhe rezultatet e javës së 15:

22.12.2022

1-Kastrioti-Egnatia  2-3

2-Erzeni-Bylis          1-1

3-Vllaznia-Teuta        4-0

21.12.2022

1-Kukësi-Laçi       1-0

2-Tirana-Partizani      0-1

Abissnet Superiore rikthehet më 14 janar 2023 me ndeshjet:

1-Bylis-Kukësi

2-Egnatia-Erzeni

3-Laçi-Tirana

4-Partizani-Vllaznia

5-Teuta-Kastrioti

Sport Abissnet Superiore Teuta Vllaznia