Kronike24 Qershor 2022, 08:55

Vodhi vilën e Karim Benzema, ish-kreu i Ujësjellësit të Kurbinit ekstradohet drejt Spanjës

Shkruar nga Pamfleti
Vodhi vilën e Karim Benzema, ish-kreu i Ujësjellësit të

Ish-drejtori i Ujësjellës- Kanalizime në Kurbin, Alfred Prodani do të ekstradohet drejt Spanjës.

Prodani i arrestuar në fillim të muajit maj për vjedhje në Spanjë, do të përballet me drejtësinë spanjolle për akuzat që janë ngritur ndaj tij.

Pas përfundimit të afatit të paraburgimi me afat 40 ditë, Gjykata e Kurbinit ndryshoi masën e sigurisë për 41- vjeçarin, duke e lënë në burg pa afat, ndërsa vijojnë procedurat për ekstradimin drejt shtetit spanjoll. Pas caktimit të masës se sigurisë arrest në burg me afat, autoritetet spanjolle sollën dosjen hetimore dhe provat që e implikojnë Prodanin në disa episode vjedhjeje, duke detyruar togat e zeza në Kurbin qe ta mbajnë në burg Prodanin me qëllim ekstradimi.

Në vitin 2019-të,  ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi, se Prodani, kishte marrë pjesë në grabitjen e shtëpisë së yllit të Real Madrit, Karim Benzema. Por në atë kohë, 41-vjeçari i quajti akuzat e Berishës si të stisura dhe të motivuara politikisht.

Prodani u arrestua nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Interpol Tirana. 41-vjeçari banues në Kurbin u prangos pa bërë rezistence në qytetin e Laçit, ndërsa ndalimi i tij u bë me qëllim ekstradimi drejt Spanjës. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata Coruna në Spanjë, në vitin 2013, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës” informon Policia e Lezhës.

Kronike Alfred Prodani ekstradim Karim Benzema Spanjë